Rreziku i një lufte të madhe në Lindje të Mesme është rritur pas sulmeve masive të Iranit ndaj Izraelit më 1 tetor.
Izraeli ka kërcënuar me hakmarrje, duke rritur shqetësimet për ndërprerje të furnizimeve me naftë dhe gaz prej rajonit të pasur me këto lëndë.
Çmimet globale të naftës veçse janë rritur për 9 për qind prej sulmit të Iranit, i cili është kryer pak ditë para shënimit të përvjetorit të parë të luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, dhe ofensivës izraelite në Liban, të nisur më herët gjatë muajit.
Një konflikt i shkallës së plotë mes Izraelit dhe Iranit mund të ndikojë në furnizimet ndërkombëtare dhe të shkundë ekonominë globale, paralajmërojnë ekspertët.
“Një ndërprerje masive e eksporteve të naftës dhe gazit prej këtij rajoni mund të ketë ndikim në gjithë ekonominë globale”, ka thënë Farzan Sabet, hulumtues i lartë në Institutin e Gjenevës.
Your browser doesn’t support HTML5
"Akt agresioni"
Raportimet e mediave izraelite sugjerojnë se shteti mund të shënjestrojë qendrat bërthamore të Iranit, apo qendrat e naftës dhe gazit.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka tërhequr vërejtjen Izraelit që të mos godasë qendrat e naftës në Iran, njërin prej prodhuesve më të mëdhenj në gjithë botën.
Irani ka paralajmëruar që secili sulm në infrastrukturën e vet mund të provokojë “përgjigje edhe më të ashpër” nga ana e Teheranit.
Nëse Izraeli kryen një sulm masiv në qendrat iraniane të naftës apo gazit, Teherani mund të “ushtrojë presion në pikat e rëndësishme të transitit, sikurse Ngushtica e Hormuzit”, ka thënë Sabet.
Irani ka vite që kërcënon me bllokim të Ngushticës strategjike të Hormuzit, përmes së cilës qarkullon një e pesta e gjithë naftës së botës.
“Ngushtica e Hormuzit është kyçe për ekonominë globale”, ka thënë Neil Quilliam, ekspert për politika të energjisë dhe gjeopolitikës në Institutin Chatham House, me seli në Londër.
Katari, njëri prej prodhuesve më të mëdhenj të gazit natyror, përdor, po ashtu, Ngushticën e Hormuzit për eksportet e veta.
Ka shqetësime që Teherani mund të shënjestrojë qendrat e naftës në shtetet fqinje, nëse sulmohet prej Izraelit.
Iraku, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Irani janë në mesin e prodhuesve kryesorë të naftës në botë.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, është takuar me zyrtarë të lartë të shteteve të Gjirit Arab, në një vizitë të realizuar në Katar një javë më parë.
Zyrtarët kanë kërkuar të sigurojnë Iranin për neutralitetin e tyre në konfliktin mes Teheranit dhe Izraelit, sipas disa raportimeve në media.
Sabet ka thënë se çdo hakmarrje iraniane kundër ndonjë sulmi të mundshëm izraelit, që ndikon në çmimet globale të energjisë, mund të shihet si “akt agresioni dhe mund të rrisë edhe më shumë presionin ndaj Iranit”.
Quilliam ka thënë se Izraeli mund t’i godasë qendrat që “dëmtojnë regjimin iranian dhe ndikojnë në ekonominë e shtetit”, dhe jo ato që mund të ndikojnë në tregjet globale të naftës.
SHIKONI EDHE: Netanyahu: Irani bëri gabim të madh dhe do të paguajë"Rritje e çmimeve në pompa"
Në dekadat e fundit janë regjistruar rritje të konsiderueshme të çmimeve të energjisë, pas embargove të vëna në naftën arabe më 1973 dhe Revolucionit Islamik në Iran, më 1979.
Këto zhvillime kanë rezultuar me mungesa të mëdha të naftës në disa shtete dhe radhë të pafundme për shoferët, të cilët kanë pritur gjatë për t’i furnizuar makinat e tyre.
Mirëpo, ekspertët kanë thënë se edhe një ndërprerje e madhe e furnizimeve të naftës dhe gazit prej Lindjes së Mesme, si pasojë e një lufte të madhe Izrael-Iran, nuk do të ndikojë në çrregullim të plotë të ekonomisë globale.
Kjo për faktin e rritjes së Shteteve të Bashkuara si furnizuese të mëdha globale të naftës dhe gazit, por edhe uljes së varësisë globale në lëndë të papërpunuara.
“Konsumatorët perëndimorë do ta vërejnë rritjen e çmimit nëpër pompa”, ka thënë Sabet.
“Mirëpo, kjo rritje do të jetë shumë më e vogël sesa do të kishte qenë në epokat e kaluara”.
Ai e ka përmendur se si paralajmërimet e vazhdueshme për prishje të zinxhirit të furnizimit në Detin e Kuq, nga ana e rebelëve Huthi të Jemenit – të përkrahur nga Irani – nuk kanë rezultuar me rritje të madhe të çmimeve për konsumatorët në Perëndim.
Megjithatë, Sabet ka thënë se një çrregullim në zinxhirin e furnizimit me naftë dhe gaz të Lindjes së Mesme, mund të ketë efekt të konsiderueshëm në ekonominë kineze.
Importet e Pekinit shkojnë në rreth 1.5 milion fuçi naftë në ditë prej Iranit, dhe kështu përbëjnë 15 për qind të importeve të naftës prej rajonit.
Sabet ka thënë se rritja e çmimeve të energjisë për Kinën “do të ndikonte në zinxhirin e shpërndarjes së mallrave, dhe efekti do të vërehej në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe përtej”, dhe që një realitet i tillë mund të ndikojë në “inflacion më të madh për konsumatorët”.