Ndihma sociale që s’u mjafton as për këpucët e fëmijëve 

“Tre fëmijët i kam pa këpucë. Po më luten: ‘mami, si ta marrësh socialin, na blej këpucë, sepse po na mërdhijnë këmbët", rrëfen Shpresa. Foto ilustruese.

“Fëmijët më kërkojnë këpucë për dimër, sepse në shkollë shkojnë me këpucë të verës”, rrëfen Shpresa.

Ajo është nënë e tre fëmijëve të mitur dhe për rritjen e tyre, bashkë me bashkëshortin, marrin asistencë sociale.

Ata thonë se nuk mund të punojnë. Shpresa vuan nga diabeti dhe tensioni i gjakut, ndërsa bashkëshorti nga disa lëndime që ka marrë më herët.

Familja 5-anëtarëshe jeton në një lagje të Prishtinës. Shuma e ndihmës sociale që merr, është 152 euro në muaj - sipas Shpresës, e pamjaftueshme për nevojat e tyre.

“Tre fëmijët i kam pa këpucë. Po më luten: ‘mami, si ta marrësh socialin, na blej këpucë, sepse po na mërdhijnë këmbët. Kurrë nuk u kam blerë rroba. Në organizata bamirëse shkoj e i marr. Marr çka u nevojiten. Ndihma sociale shpenzohet për ushqim, barna, rrymë, ujë dhe mbeturina”, thotë Shpresa.

Emri Shpresë i është vënë nga redaksia e Radios Evropa e Lirë, sepse, siç thotë ajo, fëmijët e saj nuk duan të identifikohen si “rast social”.

Qeveria e Kosovës, për muajt nëntor dhe dhjetor, ka dyfishuar pagesën e rregullt për përfituesit e skemave sociale.

Shpresa lutet që kjo shumë të vazhdojë.

“Na kanë shpëtuar me këto para shtesë. Nuk e di çfarë do të bëjmë kur t’i ndalin. Vetëm edhe këtë muaj [dhjetor] i kemi”, thotë Shpresa.

SHIKONI EDHE: Gjysma e familjeve në Kosovë nuk i bëjnë ballë një fature shtesë prej 100 eurosh

Gjatë vitit 2021, listës së përfituesve të ndihmës sociale në Kosovë i janë shtuar mbi njëmijë familje.

Numri i përgjithshëm i përfituesve ka arritur në mbi 25,500 familje me mbi 101,000 anëtarë.

Në vitin 2020, përfituese ishin 24,500 familje me mbi 99,000 anëtarë.

Situatën besohet se e ka rënduar edhe pandemia e koronavirusit, e cila ka imponuar masa kufizuese dhe rritje çmimesh.

Shuma e rregullt që marrin familjet me asistencë sociale, është nga 60 deri në 180 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve të familjes.

Avokati i Popullit në Kosovë, Naim Qelaj, ka paralajmëruar se situata e rënduar ekonomike rrezikon ta rrisë shkallën e varfërisë.

“Gjatë këtij viti, gjendja e krijuar me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi, ka ndikuar në përkeqësimin e statusit ekonomik, duke e thelluar edhe më tepër hendekun e pabarazisë sociale ndërmjet familjeve”, ka thënë Qelaj më 21 dhjetor, gjatë prezantimit të punës së institucionit të tij për vitin 2021.

SHIKONI EDHE: Përballja me varfërinë në pandemi   

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë zgjidhje urgjente për kategoritë e shoqërisë, që varen nga skemat sociale.

“...sepse ato familje që marrin ndihma sociale, luftojnë për ekzistencë, për sigurimin e artikujve bazikë për jetë”, thotë Limani për Radion Evropa e Lirë.

Për të siguruar mbështetje për familjet në nevojë, ministri i Financave dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, ka nënshkruar më 26 tetor një marrëveshje me Bankën Botërore për kredi në vlerë prej 47 milionë eurosh.

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere është shqyrtuar më 22 dhjetor projektligji për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Murati ka thënë se ndihmat sociale i kushtojnë buxhetit të Kosovës rreth 30 milionë euro në vit.

“Kjo [marrëveshja] i lejon Qeverisë së Kosovës që të krijojë mundësinë që në të ardhmen të zgjerohet baza e asistencës sociale, në raport edhe me nevojat e qytetarëve. Përveç mbështetjes për familjet në nevojë, ky projekt do të ndërtojë mekanizma që i ndihmojnë familjet të dalin nga varfëria, duke siguruar ndërlidhje me tregun e punës”, ka thënë Murati.

SHIKONI EDHE: A mund ta ndalë Kosova rritjen e çmimeve?

Limani e vlerëson si të arsyeshme marrjen e kredisë nga Banka Botërore, por thotë se në të ardhmen duhet të sigurohen vende pune për anëtarët e familjeve në nevojë.

Një zgjidhje e mundshme, sipas tij, janë bisedimet me sektorin privat për këtë çështje.

“Zgjidhje afatgjate mund të jetë punësimi i një anëtari të familjes me asistencë sociale. Të gjenden forma që bizneset që i pranojnë në punë këta anëtarë, të subvencionohen, për shembull me 1/3 e pagës [për ta], apo të lirohen nga tatimet, apo nga instrumentet e tjera fiskale”, thotë Limani.

Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017 dhe, sipas tyre, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.

Prej tyre, rreth 18 për qind jetojnë me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind janë në kufi të varfërisë ekstreme, me më pak se 1.50 euro në ditë.

Në Kosovë, këtë vit, janë shtrenjtuar dukshëm edhe çmimet e produkteve bazë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja ka filluar nga muaji prill me 1.2 për qind, duke arritur në 5.7 për qind në muajin tetor. Rritja më e lartë e çmimeve është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet.