Shkup: Qytetarët ukrainas të painteresuar për statusin e refugjatit

Natalia Zadorozhnjuk, ambasadore e Ukrainës në Shkup.

Që nga fillimi i invazionit rus në Ukrainë, në Maqedoninë e Veriut në bazë të të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë arritur 900 persona me shtetësi ukrainase. Aktualisht, 200 prej tyre kanë kërkuar ndihmë nga Kryqi i Kuq në vend, ndërsa asnjëri nga ta nuk është regjistruar si refugjat.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ambasadorja e Ukrainës në Shkup, Natalija Zadorozhnjuk, thotë se të gjithë ata që po qëndrojnë në Maqedoninë e Veriut aplikojnë për strehim të përkohshëm, me të cilin status u jepet mundësia të punojnë dhe të marrin ndihmë sociale.

Pushtimi rus i Ukrainës

REL ju sjell informacionet kryesore mbi pushtimin rus të Ukrainës, përfshirë analiza, video dhe fotogaleri.

“Shtetasit e Ukrainës, të cilët përkohësisht qëndrojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk aplikojnë për të marrë statusin si refugjat, por në vend të kësaj aplikojnë për strehim të përkohshëm, me ç’rast u jepen leje për qëndrim të përkohshëm në Maqedoninë e Veriut në një afat deri një vit për arsye humanitare. Qytetarët e Ukrainës, të cilët pajisen me dokumente të tilla do të kenë të drejtë për punësim dhe mbrojtje sociale në vend.

Ndihmesë e rëndësishme nga vendi juaj do të jetë zgjidhja e përkujdesit mjekësorë dhe përfshirja e fëmijëve ukrainas në procesin edukativo-arsimor”, ka theksuar ambasadorja Zadorozhnjuk.

Një nga ukrainasit që është vendosur në Maqedoninë e Veriut është edhe Stojana Semenova, e cila pas bombardimit të qytetit të saj lindjes, Harkiv në Ukrainë nga forcat ruse, e ka braktisur atë.

Ajo bashkë me të ëmën dhe djalin e saj është vendosur te miqtë në fshatin Negorci të Gjevgjelisë prej ku u mban mësim online nxënësve të saj në Ukrainë.

SHIKONI EDHE: Maqedonia e Veriut pret një grup refugjatësh nga Ukraina

Ajo thotë se akoma për çdo mëngjes nuk arrin të pranojë faktin se në qytetin e saj të lindjes zhvillohet luftë aq e ashpër.

“Kur shikoja kah djali, kuptoja se mund të mos kem mundësi ta shoh se si rritet ai. Në atë moment u ndjeva shumë e dëshpëruar se mund t’i ndodhë diçka pasi nuk e largova nga Harkivi”, tregon Semenova për Radion Evropa e Lirë.

Ajo thotë se nuk e dëshiron statusin e refugjatit pasi planifikon që sapo të qetësohet situata të kthehet në vendlindje ku e ka bashkëshortin dhe babanë.

“Askush nuk dëshiron të qëndrojë në Evropë, që është e çuditshme. Studentët e mi, madje asnjë nga miqtë që kam, askush nuk dëshiron të jetojë në Poloni, Çeki, Sllovaki, madje as në Britaninë e Madhe apo Gjermani. Të gjithë e kanë mendjen të kthehen në Harkiv”, thekson Stojana Semenova.

SHIKONI EDHE: Ndihma për Ukrainën në vend të luleve për 8 Mars

Ndërkaq, ambasadorja e Ukrainës në Shkup, Natalija Zadorozhnjuk, i ka falënderuar të gjithë qytetarët dhe institucionet e Maqedonisë së Veriut për ndihmat humanitare për Ukrainën.

“Aktualisht në Ukrainë ka nevojë për çfarëdo lloj ushqimi, para së gjithash për ushqime me afat më të gjatë, ilaçe (veçanërisht për ato ilaçe që janë kundër dhimbjeve) dhe produkte për higjienë. Pikërisht kjo është ajo që pikat tona humanitare më së shumti e marrin si ndihmë nga ndërmarrjet dhe qytetarët, të cilëve u jemi shumë falënderues dhe e vlerësojmë atë që bashkëndiejnë me Ukrainën në këto momente".

"Pavarësisht kësaj, me organizimin e Ambasadës dhe shoqatave ukrainase dhe me ndihmën e organizatave udhëheqëse financiare, ndërmarrjeve, kompanive, zinxhirëve tregtarë, qyteteve të vëllazëruara në Maqedoninë e Veriut, ne tashmë në Ukrainë kemi dërguar 120 tonelata ndihma humanitare. Sinqerisht u jam falënderuese! Kjo ndihmë nuk është me fjalë, por me vepra”, ka thënë ambasadorja ukrainase Natalija Zadorozhnjuk.