Më shumë se 30 milionë euro janë ndarë këtë vit për buxhetin e nevojshëm për barna dhe material shpenzues në sektorin publik shëndetësor në Kosovë.
Ndonëse është potencuar nga zyrtarët shëndetësorë se ky buxhet cilësohet si i pamjaftueshëm, ata gjithashtu kanë theksuar faktin se Ministria e Shëndetësisë, prej vitesh ka blerë barna më të shtrenjta sesa çmimi real i tyre në treg.
Prej pasluftës së fundit në Kosovë, lista esenciale me barna asnjëherë nuk ka arritur të përmbushet në tërësi.
Këtë vit, shumë kontrata të nënshkruara prej vitesh me kompani farmaceutike që kanë furnizuar këtë sektor me barna, janë ndërprerë.
SHIKONI EDHE: Mungesa e barnave i shtyn pacientët t’i blejnë vetë atoNjë kohë, institucionet publike shëndetësore kanë përjetuar një kolaps sa i përket furnizimit. Megjithatë, shuma që është kursyer ka arritur vlerën prej 6 milionë eurosh.
Debati për furnizimin me barna për institucione publike shëndetësore me çmime shumëfish më të larta se ato reale, ka qenë aktual prej vitesh.
Sektori i shëndetësisë, është potencuar si një prej atyre që mund të konsiderohen si shumë problematik.
Kjo është thënë edhe nga përfaqësuesit e Institutit “Columbus”, një prej organizatave që është marrë me hulumtimet e korrupsionit e që është mbështetur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe ambasadat e vendeve të Quint-it.
Ata kanë thënë se barnat esenciale të blera nga Ministria e Shëndetësisë, për shkak të urdhëresave administrative dhe ligjeve në fuqi, kanë ndikuar që buxheti i Kosovës të shpenzojnë nga 10 deri në 2000 për qind më shumë mjete financiare për blerjen e një ilaçi, krahasuar me çmimin real në treg.
Hulumtuesja në institutin ‘’Columbus’’ , Saranda Ramaj, i tha Radios Evropa e Lirë, se ndonëse janë ndërprerë disa nga kontratat abuzive që i kishte Ministria e Shëndetësisë për furnizim me barna, gjendja ende nuk është stabiziluar.Sipas saj, Kosova vazhdon të mos ketë kapacitet për të matur cilësinë e barnave, e gjithashtu as dokument që e rregullon në mënyrë ligjore blerjen e tyre.
“Është një lajm i mirë që Ministri i Shëndetësisë ka refuzuar që t’i nënshkruajë kontratat që kanë qenë abuzive. Megjithatë nuk është siguruar stabilitet në blerjen e barnave meqë është një udhëzim administrativ, të cilin Ministria e Shëndetësisë dhe ministri Uran Ismaili, e kanë proklamuar shumë si udhëzim administrativ të mirë, e që pajtohem, por ende nuk kemi nënshkrim për këtë udhëzim që nga prilli i këtij viti”.
“Ky udhëzim nënkupton që ende kompanitë farmaceutike mund të abuzojnë me çmime, pasi nuk ka bazë ligjore që e rregullon ofertimin e kompanive farmaceutike me çmim në tenderët publik, saktësisht në Ministrinë e Shëndetësisë”, theksoi ajo.
SHIKONI EDHE: Sektori i barnave, ‘lider’ për korrupsion në shëndetësiSi problem tjetër, përmendet edhe udhëzimi administrativ, i cili nuk e parasheh çmimin minimalisht të ulët për barna, që vlerësohet se është po aq problematik si çmimi maksimalisht i lartë, pasi që mund të abuzohet duke sjellë barna me cilësi të ulët, e që nuk i kalojnë filtrat e cilësisë.
“Kjo më pas e heq nga konkurrenca një produkt të një kompanie më prestigjioze me produkt më cilësorë. Kemi pasur rastin me Klinikën e hemodializës ku kompania e furnizimit është nga Bangladeshi dhe cilësia nuk i dihet”, tha Ramaj.
Në Ministrinë e Shëndetësisë thanë se ndonëse nuk ka dalë raporti përfundimtar i kursimeve, rreth 6 milionë euro janë kursyer me ndërprerjen e kontratave që Ministria i ka pasur në të kaluarën.
Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë, bëri të ditur se edhe udhëzimi administrativ, i cili e rregullon në mënyrë ligjore blerjen e barnave, së shpejti do të nënshkruhet, pasi që janë kryer procedurat e nevojshme.
“Duke parë parregullsitë që kanë ndodhur me blerjen e barnave , Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë veprime konkrete duke krijuar edhe një udhëzim administrativ, i cili rregullon çmimin e barnave në vend. Ky udhëzim është në përfundim, e kemi dërguar edhe në dëgjim publik, kemi marrë edhe komente dhe tani jemi në fazën e fundit”.
“Më pas MSH-ja do ta ketë një udhëzim që rregullon në mënyrë ligjore blerjen e barnave në vendin tonë. Të gjitha kontratat që janë ndërruar, janë nënshkruar me çmime më të ulëta dhe kursimi i parave është diku rreth 6 milionë euro, ndonëse ende nuk është bërë raporti i plotë i detajuar”, bëri të ditur Matoshi.
Ndërkaq, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se sa i përket furnizimit me barna, gjendja është përmirësuar.
“Nga lista esenciale e barnave, furnizimi aktualisht është diku rreth 70 për qind dhe 50 për qind me material shpenzues, por gjithmonë duhet të përmirësohet më tepër gjendja. Disa kontrata që ka pasur Ministria e Shëndetësisë për furnizim me barna, kanë qenë me afate të skaduara, derisa të tjera të tejkaluara”.
“Tashmë janë bërë disa ndërprerje të kontratave për shkak të buxhetit, çmimit më të lartë se ai real dhe nga gjithë kjo kemi pasur një benefit, kemi pasur përfitim sa i përket buxhetit pikërisht për shkak të ndërprerjeve të këtyre kontratave. Ka shkaktuar pak vakuum, por gjendja me furnizim me barna po shkon duke u përmirësuar. Me ndërprerjen e këtyre kontratave përfitimet në buxhet kanë qenë rreth 6 milionë euro”, tha Sejdiu.
Sidoqoftë, barnat edhe nëpër barnatoret e Kosovës, nuk kanë çmime të unifikuara. Kjo, sipas zyrtarëve institucionalë, ndodh për shkak se Kosova nuk e ka një rregullore administrative që do të mund ta rregullonte këtë çështje. Ata thonë se laramania e çmimeve nëpër barnatore është evidente, dhe një gjë e tillë ndodh për shkak të tregut të lirë që ekziston në Kosovë.
Gjithashtu, barnat mund të shiten në barnatoret e Kosovës, përfshirë edhe ato narkotike dhe psikotrope pa recetën e mjekut. Këtë e thonë vetë zyrtarë të lartë institucionalë, sipas të cilëve, kjo çështje do të rregullohet me hyrjen në fuqi të Ligjit për sigurime shëndetësore.