Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se ka ndaluar një punonjës të saj nën dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, respektivisht marrjes së ryshfetit në vendkalimin kufitar në Bllacë mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Rasti është denoncuar në emisionin Stop në televizionin Klan në Shqipëri. Sipas videos të publikuar, përgjegjësi i turnit në pikën kufitare me inicialet E.SH i ka marrë një shoferi të transportuesve të pasagjerëve 120 euro për kalimin e kufirit.
“Unë jam një biznesmen shqiptar që transportoj pasagjerë brenda dhe jashtë shtetit. Kemi shumë probleme me policinë kufitare maqedonase. Jo ryshfet, por u japim rroga çdo ditë, nga 500 euro, 700 euro, 800 për makinë... Tarifa për çdo pasagjer ishte 50 euro, por tani ka rënë në 20 euro. Ryshfet! Për çdo person. Unë mbaj 20-30 pasagjerë dhe duhet të paguajmë 20 euro për çdo pasagjer”, u shpreh shoferi i automjetet, i cili kishte pranuar që të bashkëpunojë me emisionin për të zbuluar ryshfetin në këtë pikë kufitare.
SHIKONI EDHE: Maqedoni e V: Rreth 400 mijë qytetarë kanë dhënë ryshfet më 2019Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut përmes një njoftimi me shkrim, thonë se janë duke punuar për zbardhjen e rastit dhe se për gjithçka, opinioni do të njoftohet me kohë.
Në videon e publikuar shihen edhe zyrtarë të tjerë policorë duke ndërmjetësuar në marrjen e ryshfetit në këtë rast. Por, nga MPB-ja nuk japin detaje tjera me arsyetimin për të mos e dëmtuar procesin e hetimeve.
Ky rast ka nisur të hetohet edhe nga Prokuroria Publike kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të Lartë, por edhe nga ky organ nuk japin detaje për shkak të procesit të hetimeve.
Rastet e tilla të korrupsionit ndodhin për shkak të mungesës së një strategjie të qartë dhe të vendosur nga institucionet, thotë Dragan Malinovski, ish-anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
SHIKONI EDHE: Dështimi në luftën kundër korrupsionitAi thotë se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë gjithëpërfshirëse, pasi me sanksionimin e rasteve individuale nuk arrihen rezultatet e pritura.
“Duhet të kemi një politikë të menduar mirë për përballje me korrupsionin. Të punohet në të gjitha nivelet, edhe në korrupsionin e lartë e grupor, por edhe në atë të nivelit më të ulët. Pra, pa një luftë sistematike në të gjitha nivelet, duke filluar me parandalimin e deri te sanksionimi, nuk mund të presim rezultate. Komisioni anti-korrupsion ka një strategji të hartuar, në mënyrë të detajuar janë përshkruar të gjithë sektorët, janë detektuar problemet dhe çfarë duhet të ndërmerret, por deri tani nuk është ndërmarrë asgjë”, thotë Malinovski.
Lidhur me praninë e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, të martën foli edhe kryetari Aleancës për Shqiptarët në opozitë, Zijadin Sela, duke prezantuar raste të zyrtarëve të lartë, që, sipas tij, janë të përfshirë në afera të ndryshme korruptive, andaj edhe kërkoi nisjen e procesit të vetingut në gjyqësor, që sipas tij është problemi kyç për praninë e korrupsionit.
SHIKONI EDHE: Sfida e pastrimit të gjyqësorit“Ky gjyqësor është ndër institucionet më pak të besuara nga qytetarët, sepse të gjithë tani për vite me radhë e shohin se si drejtësia këtu është bërë selektive dhe padrejtësia rregull... Duhet të themelohet një task-forcë për reformën në gjyqësor dhe për të bërë një vlerësim gjithëpërfshirës për shkaqet e kapjes së gjyqësorit. Kjo task-forcë do të kishte për qëllim nxitjen dhe mbështetjen e kryerjes profesionale të hetimeve, ndjekjen penale dhe dhënien e dënimeve meritore në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe të krimit të organizuar”, tha Sela.
Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut, sipas opozitës, ka arritur përmasa shqetësuese. Së fundi në paraburgim ka përfunduar ish-sekretari i Qeverisë, Muhamed Zeqiri, i dyshuar për shpërdorim të detyrës.
Edhe paraardhësi i tij, Dragi Rashkovski po ndiqet penalisht për shpërdorim të detyrës dhe dëmtimin e buxhetit të shtetit për disa qindra mijëra euro.