Ndalesa e importeve nga Serbia rrit çmime në Kosovë

Dyqan në Prishtinë ku shihen disa produkte nga Serbia.

Ndalimi i importit të mallrave nga Serbia në Kosovë është reflektuar me shtrenjtimin e disa produkteve në treg, thotë Kreshnik Bublaku, menaxher i një qendre tregtare në Kosovë.

Ai tregon se, si pasojë e ndalesës, furnizime të caktuara duhet të bëhen nga destinacione më të largëta - çfarë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve.

Përfaqësues të odave ekonomike në vend thonë se Qeveria duhet ta heqë këtë masë, pasi, sipas tyre, përveçse prek çmimet, ndikon edhe tek investitorët e mundshëm.

Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse po e shqyrton heqjen e ndalesës.

Pse i ndaloi Kosova importet nga Serbia?

Qeveria e Kosovës mori vendimin për t’i ndaluar importet nga Serbia më 15 qershor të vitit 2023.

Vendimi pasoi arrestimin e tre policëve kosovarë nga forcat serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi atëkohë ndalesën si masë të sigurisë, dhe jo ekonomike apo tregtare.

Ndërkohë që policët dolën nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, masa e ndalesës së prodhimeve nga Serbia vazhdoi.

Që nga ajo kohë, nga Serbia në Kosovë hyjnë vetëm lëndë e parë dhe gjysmë-produkte të nevojshme për prodhimin final, konfirmon Dogana e Kosovës.

Bublaku, i cili menaxhon qendrën tregtare “Jora Center”, thotë se kjo kompani, pos prodhimeve vendore, siguron tashmë prodhime direkt nga vendet e origjinës në Bashkimin Evropian, të cilat më herët siguroheshin nga Serbia ose përfaqësitë e kompanive të huaja në Serbi.

Meqë transporti është më i gjatë dhe kushton më shumë, disa çmime është dashur të rriten, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Bublaku merr si shembull lëngjet “Bravo” të kompanisë austriake “Rauch”.

“Lëngjet e prodhuara nga kjo kompani janë shtrenjtuar deri në 20 për qind, pasi furnizohemi nga Austria - vend i origjinës”, thotë Bublaku.

Një shishe prej 0.5 litrash me këtë lëng ka kushtuar 55 centë në shtator të vitit 2023; aktualisht është 79 centë.

Çmimi i lëngjeve Bravo vitin e kaluar ishte 55 centë. Fotografi e bërë në vitin 2023.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua degës së kompanisë “Rauch” në Serbi rreth humbjeve që mund t’i ketë pësuar nga ndalesa e Kosovës, por nuk mori përgjigje.

Çmimi i lëngjeve Bravo në një dyqan në Prishtinë më 8 shkurt 2024.

Në shtatë-tetë muajt e fundit, çmime më të shtrenjta kanë edhe disa produkte të tjera, thonë qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë.

“Qumështi, jogurti, sheqeri dhe çaji, muajve të fundit, janë shtrenjtuar shumë. Mezi po ia dalim”, thotë Lumnije Berisha, e cila punon në një kompani të mirëmbajtjes dhe paguhet 320 euro në muaj.

Produkte qumështi në një dyqan në Prishtinë.

Në qershor të vitit të kaluar, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, një kilogram sheqer është shitur për 1.10 euro, ndërsa aktualisht shkon deri në 1.40. Një litër qumësht - varësisht nga prodhuesi - ka kushtuar deri në 1.20, ndërsa kushton deri në 1.35.

Çmimi për një kilogram sheqer aktualisht shkon deri në 1.40 euro.

Albana thotë se edhe çmimet e disa artikujve higjienikë janë rritur tashmë.

“Deterxhenti, shamponi, artikujt tjerë për pastrim...”, numëron ajo.

Këtyre pohimeve u bën jehonë edhe Afrim Hyseni, pronar i kompanisë “Sharri Center”, e cila merret me shitjen e produkteve ushqimore, higjienike dhe të tekstilit.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se shumicën e produkteve të importuara nga Serbia, i ka zëvendësuar me produkte nga vendi, rajoni dhe BE-ja.

Sa më larg që është destinacioni i furnizimeve, aq më i shtrenjtë edhe transporti dhe pastaj çmimi i produktit në treg, thotë ai.

Përveç në Kosovë, “ne furnizohemi më shumë në Gjermani, Kroaci dhe Shqipëri”, thotë Hyseni.

Çfarë tregojnë të dhënat zyrtare?

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se gjatë vitit të kaluar, vlera e importeve nga shtete si Turqia, Gjermania etj., është rritur në krahasim me vitin 2022.

Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar, që do të thotë se importon shumë më shumë sesa që eksporton. Mesatarisht në vit, ajo importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh, ndërsa eksporton nën 1 miliard.

Për kohë të gjatë, Serbia ishte ndër shtetet me praninë më të madhe të produkteve të saj në Kosovë, të cilat tani janë të pavërejtshme.

Brenda një dite, ky vend eksportonte mbi një milion euro mallra në Kosovë.

Nga qershori deri në dhjetor të vitit të kaluar - kur ishte në fuqi ndalesa e vënë nga Qeveria e Kosovës - Serbia eksportoi në tregun e Kosovës mallra në vlerë prej 75 milionë eurosh, krahasuar me rreth 240 milionë euro sa ishte vlera në periudhën e njëjtë të vitit 2022.

“Të hiqet ndalesa”

Odat ekonomike në Kosovë i bëjnë thirrje Qeverisë që ta heqë ndalesën mbi produktet finale nga Serbia.

Përfaqësuesit e tyre thonë se kostoja e transportit ka ndikuar që disa çmime të jenë më të larta, por nuk specifikojnë më shumë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndalesa, përveçse ndikon në çmime, “cenon edhe interesat e kompanive ndërkombëtare, të cilat impiantet prodhuese i kanë në shtetin e Serbisë”.

“E, rrjedhimisht, cenohen edhe interesat e shteteve partnere të Republikës së Kosovës, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe shtetet e Bashkimit Evropian”, thotë ai.

SHIKONI EDHE: "Kaos total": Afaristët në veri të Kosovës presin heqjen e ndalimit për mallrat nga Serbia

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se ndalesa duhej të kishte një periudhë të caktuar kohore.

“Nuk mund të ekzistojë ndalesa një vit për arsye të sigurisë”, sipas tij.

Rafuna, i cili është edhe udhëheqës i Odave të Ballkanit Perëndimor, tërheq vërejtjen se situata e krijuar me shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Serbisë, ndikon edhe në tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë.

Investitorët potencialë, sipas tij, e shohin tregun e Ballkanit Perëndimor si një treg të vetëm dhe pengesat që paraqet Kosova, mund të bëjnë që investitorët të hezitojnë ta shtrijnë kapitalin e tyre në Kosovë.

“Një investitor kualitativ, serioz, një brend i njohur botëror - i cili është marketingu më i mirë për të dëshmuar se një shtet është stabil për investime - e sheh komplet tregun e Ballkanit si një treg të vetëm. Kosova nuk është dashur që të vendosë pengesa në qarkullimin e mallit”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Në një deklaratë dhënë REL-it vitin e kaluar, ministri për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Nenad Rashiq, tha se Qeveria, në periudhën e ardhshme, do të duhej ta anulonte vendimin për ndalimin e importit të mallrave serbe, por se pret që edhe Bashkimi Evropian t’i anulojë masat e tij ndëshkuese ndaj Kosovës.

SHIKONI EDHE: "Heqja e ndalesës për mallrat serbe në këmbim të shfuqizimit të masave nga BE-ja"

BE-ja ndërmori masa ndëshkuese kundër Kosovës, përfshirë anulimin e disa fondeve dhe takimeve të nivelit të lartë, për shkak se Kosova nuk iu bind disa kërkesave të saj për të shtensionuar situatën në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe. Ato masa mbeten ende në fuqi.

Aleancat e bizneseve, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, tërhoqën vazhdimisht vërejtjen se situata e paqëndrueshme politike ndikon negativisht në ekonomitë e të dyja vendeve. Për këtë çështje, REL-i raportoi edhe në tetor të vitit të kaluar.

SHIKONI EDHE: Tensionet në veri me ndikim negativ në ekonomi

Për arsye të ndryshme, Kosova, edhe në të kaluarën, ndërmori masa kufizuese kundër prodhimeve nga Serbia, gjë që rezultoi pastaj me rritje çmimesh.

Për shembull, në fund të vitit 2018, Qeveria e Kosovës vendosi taksë, fillimisht 10% e më pas 100%, mbi produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, e cila mbeti në fuqi deri në shkurt të vitit 2020.

Katër muaj pas vendosjes së taksës, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës treguan se shkalla e inflacionit ishte rritur - në mars të vitit 2019 ishte 3.3 për qind, në krahasim me muajin mars të vitit 2018.

Të dhënat e tanishme të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se çmimet e konsumit në tregun e Kosovës në vitin 2023 ishin për 4.9 për qind më të larta, krahasuar me vitin 2022. Sipas tyre, prodhimet ushqimore u shtrenjtuan për 11.3 për qind, vitin e kaluar.

Në rritjen e çmimeve, megjithatë, ndikoi edhe inflacioni që filloi të rritej nga pandemia e koronavirusit dhe mori hov pasi Rusia nisi luftën në Ukrainë, në vitin 2022.