Navalny: Do të zhduket terri nga Rusia

Aleksei Navalny.

Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, ka thënë se mbetet me shpresë që “hajnat” që po tentojnë të vjedhin shtetin e Rusisë nga banorët, do të dështojnë dhe do të hiqen nga pushteti.

Ai e ka bërë këtë deklarim në llogaritë e tij në rrjetet sociale, pikërisht dy vjet pas arrestimit të tij.

Navalny është ndaluar në momentin e kthimit në Moskë nga Gjermania, ku është trajtuar për helmim me agjent nervor të stilit sovjetik.

Kritiku i Kremlinit ka thënë se “toka amë duhet të ruhet”.

“Ajo [Rusia] është vjedhur, lënduar dhe është futur në një luftë agresive kundër Ukrainës, dhe është kthyer në një burg të pandershëm nga njerëzit më të pandershëm dhe mashtrues. Secili qëndrim kundër kësaj bande, qoftë edhe simbolik, është i rëndësishëm”, është thënë në deklaratën e Navalnyt.

SHIKONI EDHE: Navalny e quan “kamp përqendrimi” burgun ku ndodhet

“Siç e kam thënë edhe dy vjet më parë, po e them edhe tash – Rusia është shteti im… nuk do t’ua jap atyre shtetin tim dhe besoj se terri do të zhduket… ka shumë në mesin tonë, sigurisht, më shumë sesa gjyqtarët e korruptuar, propagandistët gënjeshtarë dhe hajnat e Kremlinit”.

Navalny, i cili ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore në gusht të vitit 2020, fajëson zyrtarët rusë të sigurisë për helmimin e tij, me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin.

Ai është dënuar fillimisht me dy vjet e gjysmë burgim për shkelje të rregullave të një dënimi me kusht, dhe më pas i janë shtuar edhe nëntë vjet më shumë, me arsyetimin e mashtrimeve.

Vetë Navalny i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe i konsideron ato të motivuara politikisht.