Navalny mund të përballet me akuzë të re, pas “provokimit”

Aleksei Navalny.

Figura opozitare në Rusi, Aleksei Navalny, përballet me akuza të reja penale, pasi është detyruar të thyejë rregullat e burgut të sigurisë maksimale, ku është duke u mbajtur, ka thënë Vadim Kobzev, një prej avokatëve të tij.

Kobzev ka thënë në Twitter se një i burgosur me aromë të rëndë dhe higjienë të keqe, është dërguar në qelinë e Navalnyt për ta “provokuar” atë, sa ka qenë duke kryer punët në burg, dhe Navalny nuk ka pasur zgjidhje tjetër, veçse ta tërheqë zvarrë.

Atij më pas i është thënë se do të akuzohet për pengim të autoriteteve të burgut.

Sipas Kobzevit, kjo shkelje është e dënueshme me pesë vjet burgim.

Aktualisht, Navalny është duke shërbyer një dënim prej 11 vjetësh e gjysmë, në një burg në lindje të Moskës.

Ai akuzohet për mashtrime dhe përbuzje të gjykatës, ndonëse vetë Navalny beson se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht.

Kritiku i Kremlinit është helmuar me agjent nervor Noviçok më 2020.

SHIKONI EDHE: Navalny: Humbja ushtarake e Rusisë në Ukrainë, “e pashmangshme”

Ai është trajtuar në Gjermani pas helmimit, ndërsa kur është kthyer në Rusi, në janar të vitit 2021, është arrestuar në aeroportin e Moskës.

Navlany është bërë i njohur për publikun, pas raporteve që ka publikuar për pasurinë e zyrtarëve të lartë rusë.

Videot e tij janë shikuar miliona herë.

Mirëpo më vonë, Fondacioni i tij Kundër Korrupsionit, është shpallur “ekstremist”, dhe liderët tjerë të saj kanë ikur në ekzil.