Ministrat e jashtëm të NATO-s do të tentojnë t’i përafrojnë qëndrimet lidhur me kërkesën për anëtarësim të Ukrainës në një takim në Oslo të Norvegjisë këtë javë.
Aleatet deri më tani nuk kanë arritur të pajtohen për kërkesat që Kievit t’i jepet një udhërrëfyes drejt anëtarësimit në NATO, në samitin që do të zhvillohet në korrik.
NATO nuk e ka pranuar kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të shpejtë pasi qeveritë e vendeve perëndimore, si SHBA-ja dhe Gjermania, po veprojnë me kujdes në atë mënyrë që të mos e çojnë aleancën më afër hyrjes në një luftë aktive me Rusinë.
Megjithatë, Kievi dhe disa nga aleatët e tij më të afërt në Evropën Lindore kanë bërë presion që NATO të paktën të ndërmarrë hapa konkretë për ta sjellë Ukrainën më afër anëtarësimit në samitin e aleancës që do të mbahet në Vilnius, Lituani, më 11-12 korrik.
“Do të ishte shumë e trishtueshme nëse dikush e lexon rezultatin e samitit të Vilniusit si një fitore të Rusisë në pengimin e Ukrainës për t'u bashkuar me NATO-n një ditë”, tha të premten kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte.
Javën e kaluar, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e bëri të qartë se Ukraina nuk do të mund të anëtarësohet në NATO përderisa lufta kundër Rusisë vazhdon.
“Anëtarësimi në mes të një lufte nuk është në agjendë”, tha ai. “Çështja është se çfarë do të ndodhë kur të përfundojë lufta”.
SHIKONI EDHE: Stoltenberg: Anëtarësimi i Ukrainës në NATO gjatë luftës, nuk është në agjendëNATO ra dakord në samitin e vitit 2008 në Bukuresht që Ukraina do të anëtarësohet në të ardhmen.
Megjithatë, që nga atëherë, udhëheqësit e NATO-s nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap për ta realizuar një gjë të tillë, si për shembull duke i dhënë Kievit një plan veprimi për anëtarësim që do ta përcaktonte një plan kohor për bashkimin e vendit me NATO-n.
Në margjinat e takimit të tyre në Oslo më 31 maj dhe 1 qershor, ministrat e Jashtëm pritet të flasin edhe për kërkimin për një shef të ri të NATO-s, pasi që Stoltenberg largohet nga kjo pozitë në shtator.