Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë thirrje për shtensionimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo thirrje vjen në mes të rritjes së tensioneve mes dy shteteve pas arrestimit nga forcat serbe të tre policëve të Kosovës javën e kaluar.
Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, kanë nisur që nga fundi i majit.
“Kemi diskutuar edhe për situatën në Kosovë. Angazhimi i NATO-s ndaj mandatit tonë të Kombeve të Bashkuara është i palëkundur. Forcat tona [të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR] do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të ofruar mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.”, tha Stoltenberg për gazetarët në Berlin pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
Shefi i NATO-s po ashtu kërkoi nga të dyja palët që të ndalin çdo hap tjetër përshkallëzues dhe të kthehen menjëherë në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
As liderët në Kosovë, e as ata në Serbi duket se nuk janë shprehur të gatshëm të marrin pjesë në takimin e krizës të thirrur nga Bashkimi Evropian për këtë javë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel. Megjithatë, ai tha se do të vendosë nëse “teknikisht do të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.
Ky i fundit, ka deklaruar se pa kuptuar gjendjen e policëve, që sipas Kosovës janë rrëmbyer nga forcat serbe, nuk do të vendosë nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.
SHIKONI EDHE:
BE pret që Kurti dhe Vuçiq të shkojnë në Bruksel pa kushteKurti: Pasi të kuptoj gjendjen e policëve do të vendos për shkuarjen në BrukselVuçiq nuk do të marrë pjesë në takimin me KurtinBlloku evropian, ndërkaq, ka thënë se pret që palët të marrin pjesë pa kushte në takimin e thirrur nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.
Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 16 qershor ka deklaruar se "bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit".