Stoltenberg për REL: NATO po rrit prodhimin e armëve për ta ndihmuar Ukrainën

Intervista me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Bruksel, 3 prill 2023

Vendet anëtare të NATO-s po "rrisin" prodhimin e furnizimeve ushtarake për të siguruar që aleanca perëndimore mund të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

"Sfida kryesore [me të cilën përballet NATO] është se kjo luftë tani është kthyer në një luftë shkatërrimi, që do të thotë se beteja logjistike ka të bëjë me marrjen e municioneve, armëve, furnizimeve në vijat e frontit“.

Duke folur në selinë e NATO-s në Bruksel përpara një takimi më 4 prill të ministrave të Jashtëm nga anëtarët e aleancës ushtarake, Stoltenberg tha se në fillim të luftës, e cila nisi në shkurt të vitit 2022, vendet e NATO-s që kërkonin të ndihmonin Kievin duke e furnizuar me armë, " shteronin rezervat tona".

"Pra, tani ne po punojmë gjithashtu fort për të rritur prodhimin, kështu që ne mund të sigurojmë se mund të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën, sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme të vazhdojmë ta bëjmë këtë", tha ai.

Stoltenberg theksoi se do të ishte "një tragjedi për Ukrainën nëse presidenti rus [Vladimir] Putin fiton, por është gjithashtu e rrezikshme për aleatët e NATO-s".

Stoltenberg tha se mesazhi i tij për anëtarët e aleancës ishte: "Ne duhet ta mbështesim Ukrainën sepse është në interesin tonë të sigurisë të tregojmë se Putin [nuk] do të fitojë në Ukrainë".

SHIKONI EDHE: Stoltenberg: NATO duhet të rrisë prodhimin e armëve në vitin 2023

Duke folur për zhvillimet aktuale në fushëbetejë, shefi i NATO-s tha se "e gjithë bota" ishte e impresionuar nga "cilësia, guximi dhe vendosmëria" e forcave ukrainase.

"Dhe, ajo që ne shohim është se te trupat ruse ka një moral të ulët, pajisjet janë shpesh të këqija, trajnimi nuk është shumë mbresëlënës”.

"Udhëheqja nuk po funksionon me të vërtetë në shumë prej operacioneve... Por, ajo që trupave ruse u mungon në cilësi, ata përpiqen ta plotësojnë në sasi. Kështu që ata po hedhin mijëra e mijëra trupa, shumë prej tyre të pajisur keq, të trajnuar keq. Por, sigurisht... ata janë gjithashtu në gjendje të shkaktojnë viktima në palën ukrainase".

Stoltenberg tha se është "përgjegjësia jonë" për të siguruar që konflikti të mos bjerë në një ngërç afatgjatë.

“Ajo që ne do të donim të shihnim, natyrisht, është që Ukraina të jetë në gjendje të çlirojë më shumë tokë, të zbrapsë ushtarët e presidentit Putin, dhe më pas kjo mund të krijojë kushtet për një lloj negociatash”, tha ai.

Ai theksoi se i takon Ukrainës të vendosë se cilat janë kushtet e pranueshme për negociata.

"Por, ajo që dimë është se ajo që ndodh në tryezën e negociatave është e lidhur me forcën në fushëbetejë. Pra, nëse duam një zgjidhje përmes negociatave, ku nesër Ukraina do të mbizotërojë si një komb sovran i pavarur, atëherë ne duhet të ofrojmë mbështetje ushtarake sot", tha Stoltenberg.

SHIKONI EDHE: Perëndimi do t’i dhurojë Ukrainës autoblinda

I pyetur nëse ai beson se Perëndimi do të vazhdojë ta mbështesë Kievin ndërsa lufta zvarritet, shefi i NATO-s tha se "ne jemi gati të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të duhet".

"Ne mbështesim të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje [dhe për të mbrojtur] territorin e saj. Kjo është një e drejtë e garantuar në kartën e OKB-së. Nuk ka dyshim se ajo që shohim tani është një luftë agresioni kundër Kievit dhe ne e mbështesim të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje dhe ne do ta bëjmë këtë për aq kohë sa të duhet”.