Stoltenberg: NATO ka mundur të bëjë më shumë për të parandaluar luftën në Ukrainë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Fotografi nga arkivi.

NATO ka mundur të bëjë më shumë për të armatosur Ukrainën dhe për të tentuar që të parandalojë pushtimin e Ukrainës, që Rusia nisi më 2022.

Kështu deklaroi në një intervistë të publikuar më 14 shtator shefi në largim i aleancës ushtarake perëndimore, Jens Stoltenberg.

“Tani ne ofrojmë pajisje ushtarake për luftën – atëherë, ne kemi mundur të ofronim pajisje ushtarake për të parandaluar luftën”, tha Stoltenberg për gazetën e përjavshme gjermane, FAS.

SHIKONI EDHE: Putin: Perëndimi futet në luftë me Rusinë, nëse e lejon Kievin t’i përdorë armët me rreze të gjata

Stoltenberg theksoi se hezitimi i aleancës për të ofruar armë që Kievi kërkonte para nisjes së pushtimit ishte për shkak të frikës se tensionet me Rusinë do të përshkallëzoheshin.

Stoltenberg, ish-kryeminitër i Norvegjisë, do të largohet nga drejtimi i NATO-s në tetor të këtij viti.