Stoltenberg: Bahmuti mund të bjerë në ditët në vijim

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Fotografi nga arkivi.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi më 8 mars se qyteti i shkatërruar ukrainas, Bahmut, mund të bjerë në duart e rusëve në ditët në vijim, pasi ky qytet lindor për muaj të tërë po përballet me luftime intensive.

“Ajo çfarë po shohim është se Rusia po dërgon më shumë trupa, më shumë forca dhe Rusia po mundohet që mungesën e kualitetit ta zëvendësojë me kuantitet”, tha Stoltenberg në margjinat e takimit të ministrave të Mbrojtjes të Bashkimit Evropian në Stokholm.

“Ata po pësojnë humbje të mëdha, por në të njëjtën kohë, ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që Bahmuti eventualisht të bjerë në ditët në vijim”, shtoi ai.

SHIKONI EDHE: Zelensky zotohet se do ta forcojë mbrojtjen e Bahmutit

Kreu i aleancës ushtarake perëndimore, që mbështet Ukrainën, insistoi se “është po ashtu e rëndësishme të theksojmë se kjo jo domosdo do të përbëjë ndonjë pikë kthese në luftë”.

“Vetëm vë në pah se ne nuk duhet ta nënvlerësojmë Rusinë. Ne duhet të vazhdojmë t’i ofrojmë mbështetje Ukrainës”, tha ai.

Grupi rus i mercenarëve, Wagner, pretendoi të mërkurën se ka marrë nën kontroll pjesën lindore të Bahmutit, ku luftimet mes forcave ruse dhe ukrainase po zhvillohen tash e disa muaj.

Rezistenca e ukrainasve për "Kështjellën e Bahmutit"

Njoftimi erdhi pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se nëse Bahmuti bie, Moska do të fitonte një “rrugë të hapur” për ofensivat e tjera në Ukrainë.

Luftimet përreth Bahmutit, që gjendet në rajonin e Donjeckut, kanë qenë luftimet më të gjata dhe më të ashprat që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Ekspertët perëndimorë kanë thënë se Bahmuti ka më pak rëndësi strategjike për Rusinë sesa rëndësi simbolike.