Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë që të jetë “transparente” në lidhje me aktivitetet e saj ushtarake.
Bëhet fjalë për praninë e forcave ushtarake ruse në kufi me Ukrainën të cilën ai i quajti si “përqendrim të madh dhe të pazakontë”.
Në atë pjesë të Ukrainës - ku gjendet kufiri me Rusinë - që nga prilli i vitit 2014 separatistët e mbështetur nga Kremlini po zhvillojnë luftime me forcat ukrainase. Konflikti ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 13.000 personave.
“Çdo provokim i mëtejshëm apo veprim agresiv nga Rusia do të ishte një shqetësim serioz”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, në Bruksel më 15 nëntor.
Lidhur me situatën në Ukrainë, dy ditë më parë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, diskutoi me homologun e tij francez, Jean-Yves Le Drian.
Departamenti i Shtetit tha se ata diskutuan "raportet për aktivitetin ushtarak rus në dhe afër Ukrainës".
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha në një deklaratë më 14 nëntor se Blinken dhe ministri francez ritheksuan angazhimin e fuqishëm të vendeve të tyre për sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
SHIKONI EDHE: Putin: Veprimet e SHBA-së dhe NATO-s në Detin e Zi, sfidë serioze për RusinëJavën e kaluar, Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Rusinë që të mos bëjë një “gabim tjetër serioz” në Ukrainë.
Ndërkohë, Pentagoni e quajti "të pazakontë madhësinë dhe shtrirjen" e trupave ruse në kufi me Ukrainën.
Edhe Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësime.
Zyrtarët evropianë thanë se po vëzhgonin situatën bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe.
Franca në anën tjetër paralajmëroi se çdo veprim agresiv nga Moska do të kishte "pasoja të rënda".
SHIKONI EDHE: SHBA dhe BE shprehin shqetësim për veprimet e Moskës afër UkrainësPresidenti rus, Vladimir Putin, ka hedhur poshtë pretendimet perëndimore se Moska mbase mund të sulmojë ushtarakisht Ukrainën.
Putin e akuzoi Uashingtonin për lëvizje agresive në Detin e Zi, pasi në atë rajon Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur stërvitje të mëdha ushtarake muajt e fundit.
Stoltenberg tha më 15 nëntor, ushtrimet e tilla në rajonin e Detit të Zi janë transarente dhe me “qëllime mbrojtëse".