Në kohën kur NATO dhe Bashkimi Evropian janë bashkuar për të dënuar pushtimin rus në Ukrainë, pjesëtarë të aleancës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të vazhdojnë të luajnë rol për të mbështetur paqen dhe sigurinë afatgjate në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Politika e NATO-s në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor ka qenë konsistente gjatë tërë kohës. Dhe kjo mbetet edhe tash. NATO mbetet tërësisht e përkushtuar që të luajë rolin e vet në mbështetje të sigurisë afatgjate përgjatë Ballkanit Perëndimor”, ka thënë një zyrtar i NATO-s, kur është pyetur nëse aleanca do të rrisë praninë në rajon për të parandaluar ndonjë destabilizim eventual të situatës.
NATO në Kosovë ka një mision ushtarak përmes KFOR-it në të cilin marrin pjesë edhe trupa nga vendet partnere që nuk janë anëtare të aleancës.
Ndërhyrja e NATO-s, përkatësisht dislokimi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 12 qershor, 1999, ka pasuar fushatën e sulmeve ajrore të aleancës veriatlantike kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, që ka zgjatur 78 ditë.
SHIKONI EDHE: EUFOR rrit prezencën në Bosnje-HercegovinëSulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e kanë paralajmëruar sanksione të ashpra kundër Moskës.
Për t’u njoftuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.