Tre çerekshekuj aleancë: NATO-ja ndër vite
Kjo fotografi tregon mbledhjen e parë të Këshillit të Atlantikut në shtatorin e vitit 1949.
Një muaj para këtij takimi në Uashington DC, me një traktat të nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe nëntë vende të tjera evropiane, u shpall themelimi i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Ushtarët britanikë gjatë një stërvitjeje të NATO-s brenda territorit të Gjermanisë të kontrolluar nga Britania e Madhe në shtator 1951.
Mes tensioneve në rritje me Bashkimin Sovjetik të Stalinit (BRSS), nënshkruesit e NATO-s deklaruan se një sulm ndaj një vendi anëtar, do të konsiderohej si sulm ndaj të gjithëve. Kjo dispozitë u përfshi në një seksion kyç të Traktatit të NATO-s i njohur si Neni 5.
Vajza gjermane duke shikuar një ushtar britanik gjatë stërvitjeve të NATO-s më 1951.
Ideja e një aleance ushtarake transatlantike ishte formuar pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa BRSS-ja dukej e gatshme për të zgjeruar ndikimin e saj në Evropën e rraskapitur. Në vitin 1948 Kremlini mbështeti një grusht shteti komunist në Çekosllovaki dhe filloi të ushtronte presion ndaj Norvegjisë për të formuar një pakt "mos-sulmimi".
Selia e përkohshme e NATO-s në Paris, fotografuar në fillim të viteve 1950.
Drejtori i Çështjeve Evropiane të Amerikës, John D. Hickerson, në vitin 1948, bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara të tregojnë "prova konkrete të vendosmërisë amerikane për t'u rezistuar shkeljeve të mëtejshme komuniste" në të gjithë Evropën. "Gatishmëria për të luftuar për lirinë është e lidhur ngushtë me forcën e ndihmës në dispozicion", vuri në dukje diplomati.
Një tank i paidentifikuar shihet gjatë një stërvitjeje të përbashkët në kufirin midis Francës dhe Gjermanisë, në shtatorin e vitit 1952.
NATO-ja do të shihej edhe si një mënyrë për të kufizuar çdo "ringjallje të mundshme të militarizmit gjerman". Një përmbledhje e qëllimeve të Aleancës që i atribuohen sekretarit të parë të përgjithshëm të NATO-s ishte "të mbante Bashkimin Sovjetik jashtë, amerikanët brenda dhe gjermanët poshtë".
Një konferencë e NATO-s në Paris më 1954.
Emërtimi gjeografik "Atlantiku i Veriut" thuhet se u zgjodh në mënyrë që aleanca të mund të mbetej e hapur për anëtarësime të reja, e në të njëjtën kohë të mos i linte hapësirë interesimit eventual të vendeve nga Amerika Latine dhe nga vende të largëta si Australia.
Një konferencë e NATO-s në Paris në 1957 pas stemës së NATO-s, e cila u miratua në 1953.
Flamuri i NATO-s ka ngjyrë të kaltër të errët, që përfaqëson Oqeanin Atlantik, me një busull që tregon orientimin nga paqja, dhe një rreth që simbolizon unitetin.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Manlio Brosio (majtas) dhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së, William Rogers, shikojnë kryeministrin islandez, Bjarni Benediktsson, derisa pret një tortë me simbolin e NATO-s, gjatë festimeve për 20-vjetorin e Aleancës në Uashington DC më 1969.
Eduard Shevardnadze (në mes), ministër i Jashtëm i Bashkimit Sovjetik gjatë një vizite në selinë e NATO-s në Belgjikë, dhjetor 1989.
Pas rënies së Murit të Berlinit, në nëntor të vitit 1989, komunizmi dukej se po tërhiqej në Evropë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Manfred Worner, duke shëtitur nëpër Sheshin e Kuq gjatë një vizite në Moskë në korrik të vitit 1990.
Elementet e një përçarjeje të re mes Moskës dhe Perëndimit u shfaqën kur sekretari i Shtetit i SHBA-së, James Baker, i tha udhëheqjes sovjetike në shkurt të 1990-tës se, "nëse Shtetet e Bashkuara mbajnë praninë e tyre në Gjermani brenda kornizës së NATO-s, "asnjë centimetër i juridiksionit aktual ushtarak të NATO-s nuk do të përhapet në drejtimin lindor”. Ky mendim u përsërit - ndonëse kurrë nuk u pajtua zyrtarisht - nga ministri i Jashtëm gjerman Hans-Dietrich Genscher.
Presidenti çekosllovak, Vaclav Havel (majtas) gjatë një vizite në selinë e NATO-s në Belgjikë në mars të vitit 1991.
Me Luftën e Ftohtë të fituar pas vitit 1991, u shtuan pyetjet ekzistenciale për të ardhmen e NATO-s. Presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush, vuri në dukje se, për një paqe të porsalindur, "rreziku i vërtetë vinte nga një ndjenjë e përgjithshme euforie se gjithçka po shkonte mirë".
Anija kërkimore e NATO-s, Aleanca, gjatë nisjes së saj më 1986. Anija operohet nga Marina Italiane.
Ndërsa "muri i frikës" u shemb në vitet 1990, NATO u ristrukturua për një epokë në të cilën "një kërcënim i vetëm masiv dhe global u ka lënë vendin rreziqeve të shumëllojshme dhe nga shumë drejtime".
Një F-16 që goditi tre nga katër avionët serbë që u rrëzuan mbi Bosnje.
Të shtënat e para në luftime nga NATO-ja ndodhën në shkurt të vitit 1994 kur luftëtarët amerikanë rrëzuan katër avionë luftarakë serbë që bombarduan një fabrikë boshnjake gjatë konfliktit që po përshkallëzohej në të gjithë ish-Jugosllavinë.
Ushtarët italianë ruajnë dy të dyshuar si zjarrvënës në Sarajevë në mars të vitit 1996.
Dhjetëra mijëra trupa të NATO-s u vendosën gjatë konfliktit në Bosnje. Që atëherë, aleanca ka ndërhyrë edhe në Kosovë, Afganistan dhe në luftën civile të Libisë.
Rojet bregdetare të SHBA-së përgatiten të hipin në një anije që dyshohej se ishte pirate në Gjirin e Adenit në maj të vitit 2010.
NATO u përfshi gjithashtu në operacionin për të goditur piraterinë në brigjet e Afrikës nga viti 2008 deri në vitin 2016.
Në këtë fotografi të shkrepur më 12 qershor 1999 në qytetin e Kaçanikut në jug të Kosovës, shihen ushtarët britanikë, derisa me helikopterë zbresin mbi një urë për të siguruar atë për arritjen e trupave të tjerë të NATO-s. Qindra trupa britanike, përfshirë ata elitarë Gurkha, të njëjtën ditë vazhduan rrugën drejt Prishtinës.
Forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë. Kësaj i parapriu fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999, e cila ka zgjatur 11 javë dhe është kryer për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.
Bombardimet e NATO-s më 1999 kundër caqeve të forcave serbe, ishin operacioni i dytë i madh luftarak i NATO-s, pas sulmeve të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë.
Trupat gjermane gjatë një stërvitjeje të NATO-s në Lituani në 2024.
Sot, NATO-ja ka 32 shtete anëtare në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut. Në mes të pushtimit rus të Ukrainës, anëtarët e NATO-s në mënyrë individuale e kanë furnizuar Kievin me armatime në vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh, por aleanca nuk ka ndërhyrë drejtpërdrejt.
NATO-ja e ka quajtur pushtimin rus një "luftë brutale dhe të paprovokuar agresioni kundër Ukrainës" dhe është zotuar se përfundimisht do ta përfshijë Ukrainën në aleancë.