Agjencia hapësinore e Shteteve të Bashkuara (NASA) tha se sonda e saj diellore, Parker, është “e sigurt” dhe po operon normalisht në afrimin më të afërt me Diellin të bërë nga ndonjë objekt i ndërtuar nga njeriu.
Anija kozmike kaloi vetëm 6.1 milionë kilometra nga sipërfaqja diellore më 24 dhjetor, duke fluturuar në atmosferën e jashtme të Diellit, të quajtur korona, në misionin që synon të ndihmojë shkencëtarët që të mësojnë më shumë për yllin më të afërt me Tokën.
Agjencia tha se ekipi i operacioneve në Laboratorin për Fizikë të Aplikuar të Johns Hopkins ka pranuar një sinjal nga sonda pak para mesnatës të enjten.
SHIKONI EDHE: NASA me mision për të studiuar nga afër diellinAnija kozmike pritet të dërgojë të dhëna të detajuara telemetrike për gjendjen e saj më 1 janar, shtoi NASA.
Duke lëvizur me një shpejtësi prej 692.000 kilometra në orë, anija kozmike duroi temperatura deri në 982 gradë Celsius, sipas ueb-faqes së NASA-s.
“Në studimin nga afër të Diellit sondës Parker i mundësohet të bëjë matje që do të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë se si materiali në këtë rajon nxehet në miliona gradë, të gjurmojnë origjinën e era diellore [një rrjedhje e vazhdueshme e materialit që ikën nga Dielli] dhe të zbulojnë se si grimcat energjetike përshpejtohen në shpejtësi pothuajse të dritës”, shtoi NASA.
Sonda Parker u lansua më 2018 dhe gradualisht po rrotullohet më afër Diellit, duke përdorur rrotullimet e Venerës për t’u tërhequr në mënyrë gravitacionale në një orbitë më të ngushtë me Diellin.