Pelosi fajëson Azerbajxhanin për luftimet e fundit me Armeninë

Nancy Pelosi gjatë një konference për media në Armeni.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara ka fajësuar Azerbajxhanin për luftimet e fundit me Armeninë, teksa ajo po zhvillon një vizitë në Jerevan për të ofruar mbështetje për Armeninë.

Nancy Pelosi arriti në Jerevan më 17 shtator. Ajo është zyrtarja më e lartë amerikane që viziton Armeninë, qëkur ky shtet shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik më 1991.

Gjatë një konference për media në Jerevan ajo u pyet për luftimet që shpërthyen javën e kaluar. Pelosi fajësoi Azerbajxhanin “për sulme të paligjshme dhe vdekjeprurëse” ndaj Armenisë.

“Ne fuqishëm i dënojmë këto sulme”, tha Pelosi, duke shtuar se luftimet në kufi u nxitën nga sulmet e Azerbajxhanit.

"Sa i përket asaj që pritet nga Armenia, ne presim mbështetje aktive për demokracinë, sovranitetin dhe integritetin territorial në të gjitha drejtimet", tha Alen Simonian, kryetar i Parlamentit të Armenisë.

Azerbajxhani dënoi deklaratat e Pelosit, duke i cilësuar si “të papranueshme”.

“Akuzat e padrejta dhe të paqëndrueshme të Pelosit kundër Azerbajxhanit janë të papranueshme”, tha Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit. “Kjo është një goditje e rëndë në përpjekjet për të normalizuar raportet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit”.

Para takimit me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinian, Pelosi më 18 shtator vendosi kurora lulesh pranë një monumenti në Jerevan për të nderuar pothuajse 1.5 milion armenë që vdiqën në fushatat e orkestruara të dhunës nga turqit otomanë gjatë Luftës së Parë Botërore.

Vrasjet janë cilësuar si gjenocid nga një numër i madh historianësh si dhe nga Kongresi amerikan, i cili në mënyrë unanime miratoi rezolutën e gjenocidit më 2019.

SHIKONI EDHE: Biden njeh masakrën ndaj armenëve si gjenocid

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, zyrtarisht i ka njohur vrasjet si gjenocid në prill të vitit 2021.

“Nga Shtetet e Bashkuara në Ukrainë, Tajvan, Armeni, bota përballet me zgjedhjen midis demokracisë dhe vetëqeverisjes, dhe ne duhet të zgjedhim sërish demokracinë”, shkroi në Twitter Pelosi pasi arriti në Armeni.

Këto deklarata janë referencë e vizitave që Pelosi ka bërë gjatë muajve të fundit. Në maj, ajo udhëtoi në Kiev ku u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, shteti i së cilit po përballet me pushtimin rus.

Muajin e kaluar, Pelosi vizitoi Tajvanin, një vizitë që zemëroi Pekinin, i cila e sheh këtë ishull si provincë të tij dhe është zotuar se do ta bashkojë me Kinën.

Pelosi është nga Kalifornia, shtëpi e një prej komuniteteve më të mëdha etnike armene në SHBA. Në udhëtimin e saj në Armeni, ajo po shoqërohet nga ligjvënëset Jackie Speier dhe Anna Eshoo, që të dyja me prejardhje armene.

SHIKONI EDHE: Çfarë qëndron mbrapa luftimeve të reja mes Armenisë dhe Azerbajxhanit?

Ndryshe, që para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, dy palët kanë luftuar për rajonin e Nagorno-Karabakut. Forcat armene etnike morën kontrollin e këtij rajoni të shkëputur më 1994. Më 2020, Azerbajxhani largoi forcat armene nga shumica e territorit të rajonit dhe qarqeve përreth.

Në dhunën e fundit, të dyja shtetet shkëmbyen zjarr përgjatë kufirit që i ndan dhe forcat e Azerbajxhanit kryen sulme edhe brenda territorit të Armenisë.

Rusia, e cila ka raporte të mira me të dyja shtetet, ndërmjetësoi një armëpushim pak kohë pas nisjes së luftimeve, por përleshjet vazhduan.

Qeveria e Azerbajxhanit ende nuk ka lëshuar ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me vizitën e Pelosit.