Departamenti amerikan i Shtetit ka shprehur shqetësim për shpërthim të dhunës në rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut dhe bën thirrje për për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe shmangien e dhunës së mëtejshme.
Luftimet thuhet se janë ndezur përsëri midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për Nagorno Karabakun, ku të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit të arritur vitin e kaluar.
Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar një luftë për Nagorno Karabakun më 2020.
SHIKONI EDHE:
Armenia kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët për ndaljen e dhunës në Nagorno KarabakArmenia humbi kontrollin e disa pjesëve të këtij rajoni me marrëveshjen e armëpushimit që u ndërmjetësua nga Rusia. Vlerësohet se 2.000 trupa ruse janë dërguar për të monitoruar situatën.
Nagorno Karabaku, që për tri dekada është kontrolluar nga armenët etnikë, pas luftës më 2020 njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.
"Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara dhe ndjekin nga afër raportet e luftimeve intensive rreth Nagorno Karabakut, duke përfshirë viktima dhe humbje jetësh", tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
"Ne bëjmë thirrje për hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejmë të situatës", tha Price.
"Rritja e këtyre tensioneve nënvizon nevojën për një zgjidhje të negociuar, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të të gjitha çështjeve të mbetura që lidhen ose rezultojnë nga konflikti i Nagorno-Karabakut".
SHIKONI EDHE: Armenia dhe Azerbajxhani bëjnë përparim drejt marrëveshjes së paqesSi Armenia, ashtu edhe Azerbajxhani, kanë raportuar për viktima nga armiqësitë e reja.
Azerbajxhani tha se trupat e Armenisë kanë hapur zjarr ndaj pozicioneve ushtarake të Azerbajxhanit në qarkun Laçin, që është nën kontrollin e paqeruajtësve rusë që prej nëntorit të vitit 2020, duke vrarë një rekrut.
Ndërkaq, autoritetet etnike armene në Nagorno Karabak akuzuan Azerbajxhanin për shkelje të armëpushimit. Ata thanë se Azerbajxhani ka sulmuar me granata dhe dronë, duke shtuar se dy ushtarë armenë janë vrarë dhe 14 janë plagosur.