Ukraina: Çmimi tavan ndaj naftës ruse të ulet në 30 dollarë për një fuçi

Rafineri e naftës. Fotografi nga arkivi.

Ukraina përshëndeti vendosjen e çmimit tavan ndaj naftës ruse prej 60 dollarësh për një fuçi, por tha se ky çmim duhet të ulet në 30 dollarë për të goditur edhe më shumë ekonominë ruse.

“Ne e arrijmë gjithmonë qëllimin tonë dhe ekonomia e Rusisë do të shkatërrohet, ajo do të paguajë dhe do të jetë përgjegjëse për të gjitha krimet e saj”, tha shefi i shtabit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, në Telegram.

"Por, do të ishte e nevojshme që tavani të ulet në 30 dollarë për ta shkatërruar më shpejt ekonominë e armikut", shtoi Yermak.

Çmimi tavan prej 60 dollarësh për një fuçi u miratua zyrtarisht nga aleatët perëndimorë më 2 dhjetor dhe u bë pas disa muajsh punë.

Kjo masë ndalon shtetet që të paguajnë më shumë se 60 dollarë për një fuçi për eksportet e naftës së papërpunuar ruse, që transportohet përmes detit.

Çmimi tavan u prezantua në shtator nga shtetet e G7-s (SHBA-ja, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Bashkimi Evropian) në përpjekje për të goditur aftësinë e Rusisë që të financojë luftën e saj kundër Ukrainës.

Të premten, Bashkimi Evropian miratoi çmimin tavan – që kërkonte miratimin e të gjitha shteteve anëtare – pasi bindi Poloninë që ta mbështeste këtë masë.

Polonia njoftoi se do të mbështeste masën pasi u sigurua se çmimi tavan do të mbetet 5 për qind më ulët sesa niveli në tregje.

Është raportuar se BE-ja dëshironte të vendoste çmim tavan prej 65-70 dollarësh, por ky propozim u refuzua nga Polonia, Lituania dhe Estonia, që argumentuan se ishte një çmim i lartë.

SHIKONI EDHE: A do ta çonin tubacionet e reja naftën ruse në Serbi?

Rusia e ka dënuar këtë masë, teksa ka paralajmëruar se nuk do të furnizojë me naftë ato shtete që do ta aplikojmë çmimin tavan.

Para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit, mbi gjysma e eksporteve të naftës në Evropë vinte nga Moska. Gjermania ishte importuesja kryesore, pasuar nga Holanda dhe Polonia.

Por, që nga nisja e luftës, shtetet e BE-së kanë tentuar që të ulin varësinë e tyre nga energjia ruse. Ndërkaq, SHBA-ja veçse ka ndaluar naftën e papërpunuar ruse.