Isa Mustafa: E përkrahim dialogun

Isa Mustafa

Lidhja Demokratike e Kosovës përkrah dialogun që aktualisht po zhvillohet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke besuar se përmes këtij procesi mund të vijë deri te normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.


RADIO EVROPA E LIRË
Prishtina dhe Beogradi tani kanë filluar një pjesë tjetër të dialogut - atë të nivelit të presidentëve. Cilat janë pritjet tuaja nga ky dialog që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian?

ISA MUSTAFA
Po ne, si Lidhje Demokratike e Kosovës, e kemi përkrahur dialogun, ngase konsiderojmë se problemet që ne i kemi me Serbinë, por edhe me vendet tjera fqinje, meritojnë të zgjidhen përmes dialogut, sepse është mënyra më e mirë për tejkalimin e problemeve, është një mënyrë, më e mira, edhe për stabilizimin e raporteve dhe marrëdhënieve me Serbinë.

Presim që rezultati të jetë pozitiv në mënyrë që të bëhet integrimi i serbëve që jetojnë në Kosovë, të bëhet ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, të fillojë që pjesa e komunave që janë në veri të Kosovës të zhvillohet normalisht, edhe në pikëpamje ekonomike, edhe në pikëpamje arsimore, edhe kulturore, natyrisht gjithmonë duke respektuar të drejtat kushtetuese të qytetarëve që jetojnë atje dhe duke respektuar të drejtat shtesë, të cilat Pakoja e Ahtisaarit i mundëson për atë pjesë të qytetarëve tanë që jetojnë në komunat që janë me shumicë serbe.

Pres që ne do të kemi vullnet dhe gatishmëri që të japim ofertën tonë, e cila gjithmonë duhet të kornizohet me atë çfarë është përcaktuar me Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, pres që komuniteti evropian duhet të kontribuojë, edhe SHBA-ja, që Serbia t’i tërheqë forcat e veta nga veriu, sepse ka strukturë të MUP-it atje, ka struktura ilegale që veprojnë atje dhe të bëhet rikthimi i strukturave që menaxhojnë me arsimin, me shëndetësinë dhe fushat e tjera në suaza të asaj që Pakoja e Ahtisaarit e parasheh si të drejtë të këtyre komuniteteve.

RADIO EVROPA E LIRË
Po pala serbe, Qeveria në Beograd ka dhënë ndonjë shenjë se është e gatshme t’i inkurajojë serbët e veriut që të integrohen?

ISA MUSTAFA
Unë mendoj se vetë fakti që ata kanë pranuar që të ulen dhe të bisedojnë dhe vetë fakti që disa deklarata të tyre kanë qenë të tilla, përmes të cilave ata në një formë e kanë pranuar gjendjen e re që është krijuar me pavarësimin e Republikës së Kosovës, me pranimin e Kosovës nga mbi 90 shtete dhe ato nga më të fuqishmet - edhe ekonomike, edhe politike - flet se kemi një vetëdijesim tjetër të strukturave qeveritare të Beogradit. Unë kam parasysh që ata nuk e kanë lehtë që ta tejkalojnë vetveten, dhe ta tejkalojnë këtë situatë, por mendoj se tani për tani jemi në një trend, i cili mund të jetë pozitiv dhe jep shpresa se ne do ta tejkalojmë këtë gjendje që e kemi.

Reformat - as avancim i madh, e as kthim prapa

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, nëse mund të kalojmë edhe në një çështje tjetër... Këto ditë keni zhvilluar një takim edhe me liderët e partive tjera politike në lidhje me reformat zgjedhore. A shihni se është bërë ndonjë përparim në përmbylljen e këtyre reformave të nisura?

ISA MUSTAFA
Ne do të mundohemi që gjatë këtij muaji të kornizojmë çështje, të cilat kanë mbetur të padefinuara akoma. Kanë qenë çështje zonat zgjedhore, mbetet akoma çështje të diskutohet lista zgjedhore nëse do të jetë e hapur apo e mbyllur, përbërja e Komisionit Qendror Zgjedhor dhe pragu zgjedhor.

Ne, në LDK konsiderojmë se listat e hapura janë më demokratike, ofrojnë më shumë shanse për njerëzit, u ofrojnë më shumë shanse edhe votuesve që ata të zgjedhin se kush do të jenë përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por njëkohësisht lënë edhe më shumë hapësirë që të abuzohet me votën.

Për fat të keq këtë ne e kemi vërejtur edhe në zgjedhjet e fundit, por me rëndësi është që ne t’i mbyllim këto vrima me ligjin e zgjedhor dhe të gjejmë një zgjidhje, e cila do të jetë më e përshtatshme, por zgjidhje që do t’u mundësojnë njerëzve që ata të votohen drejtpërdrejt dhe që vota e tyre të jetë votë më tepër e diktuar nga qytetari nga votuesi sesa nga partia e tij.

Për çështje të tjera të përbërjes së KQZ-së do të diskutojmë. Ne jemi ithtarë të asaj që përbërja e KQZ-së të jetë 50 me 50 për qind, domethënë 50 nga pozita dhe 50 nga opozita, përfshirë edhe mundësinë që të zgjerohet numri, në mënyrë që të mos dëmtohet asnjë prej strukturave pjesëmarrëse në KQZ dhe, po ashtu, jemi për atë që të mbahet ky prag zgjedhor që është tani - konsiderojmë se ky prag iu mundëson të gjithë atyre që kanë një përkrahje, që ata të jenë anëtarë të Kuvendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësues të shoqërisë civile ju kanë kritikuar juve liderëve për marrëveshjen në lidhje me një zonë zgjedhore, duke e cilësuar këtë si kthim parapa në këto reforma?

ISA MUSTAFA
Unë mund t’ju them që as s’e shohim si ndonjë avancim të veçantë, e as kthim prapa. E shohim si përshtatje ndaj gjendjes, në të cilën jemi. Në këtë gjendje ne nuk mund të bëjmë ndarje në zona përderisa nuk e kemi një regjistrim të saktë të popullsisë së Kosovës, përderisa kemi në disa komuna më shumë votues sesa që kemi banorë dhe përderisa pakicat, kryesisht ajo serbe, kërkon që të ketë një zonë ose të kemi zgjedhje duale, që serbët dhe pakicat të kenë një zonë e për shqiptarët më shumë zona - çka për ne është e papranueshme.

E gjithë kjo na ka shtyrë që të pranojmë këtë si kompromis, i cili nuk është zgjidhja më e mirë, sepse zgjidhja më e mirë do të ishte të kishim zona zgjedhore për arsye se do të sigurohej përfaqësim më i mirë deputetëve, por situata në të cilën jemi është kjo. Nëse hymë që të kemi më shumë zona, ne nuk mund ta bëjmë reformën shpejt, sepse duhet ta bëjmë regjistrimin e votuesve, saktësimin e numrave dhe mbi ata numra të ndahen mandatet. Kjo nuk është punë që mund të kryhet shpejt dhe kjo ishte arsye tjetër që ne, me një kompromis, edhe pse jo zgjidhja më e mirë, jemi pajtuar tani për tani me këtë gjendje dhe këtë zgjidhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Po në lidhje me reformat, por në këtë rast flasim për Kushtetutën dhe kompetencat e presidentit. Keni lënë anash kërkesën tuaj për zgjedhje presidenciale dhe reformat kushtetuese?

ISA MUSTAFA
Ne mbesim si LDK pranë kërkesës sonë që të zbatohet marrëveshja në lidhje me presidentin dhe të zbatohet marrëveshja edhe sa u përket zgjedhjeve nacionale ashtu si jemi marrë vesh, sepse këto zgjedhje, sipas marrëveshjes, do të duhej të mbaheshin këtë vit. Për këtë arsye ne po përpiqemi që sa më shpejt të përmbyllim reformën dhe gjashtë muaj pas të shpallen zgjedhjet, ndonëse shpallja e tyre është kompetencë e Kuvendit të Republikës.

Ndërkaq, përderisa nuk e kemi ende një vullnet që të zbatohet marrëveshja sa i përket presidentit – presidentes, ne nuk jemi për atë që të vazhdojmë me ndryshimet tjera. Si Lidhje Demokratike e Kosovës mbetemi te qëndrimi që zgjedhja e presidentit duhet të bëhet drejtpërdrejtë nga qytetarët dhe jo nga Kuvendi dhe se nuk janë të sakta disa qëndrime që publikohen se kemi ndryshuar pozicion këtu. Po ashtu, kompetencat që i kemi parapa me ndryshimet kushtetuese nuk mund t’i ketë një president që zgjidhet nga Kuvendi, por kompetenca që do të zgjidhej nga vota e qytetarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Një pjesë e opozitës ka zhvilluar tashmë bisedime për një koalicion të ri qeverisës. Ka edhe nisma të ndryshme për koalicione të ndryshme parazgjedhore etj. A është e përfshirë edhe LDK-ja në këto bisedime?

ISA MUSTAFA
Ne nuk kemi bërë bisedime për koalicione. Unë kam marrë pjesë në bisedime edhe me Aleancën edhe me Vetëvendosjen, kam biseduar edhe me partitë tjera të qendrës së djathtë përpara. Kryesisht kemi biseduar për bashkërenditje të aktiviteteve opozitare me partitë që janë në Kuvend në opozitë, dhe me Vetëvendosjen veçmas edhe me Aleancën kemi biseduar lidhur me reformën zgjedhore, por jo edhe për çështje të tjera.

Çështjet tjera mbesin të hapura, qoftë para apo pas zgjedhjeve. Ne më tepër jemi ithtarë të asaj që ne të gjithë t’i masim forcat në zgjedhje dhe pas zgjedhjeve dhe pastaj në bazë të asaj të ulemi dhe të bëjmë marrëveshje për qeverisjen e vendit, por nuk e përjashtojmë as mundësinë që edhe para zgjedhjeve - varësisht prej gjetjes së interesave të përbashkëta - të bëjmë koalicion parazgjedhor me ndonjë parti, në mënyrë që të futemi bashkërisht në zgjedhje.

Synoj postin e kryeministrit


RADIO EVROPA E LIRË
Në analiza të ndryshme thuhet se qeveria aktuale nuk gëzon, nuk e ka shumicën e nevojshme në Parlament. Do ta sfidoni Qeverinë me ndonjë mocion?

ISA MUSTAFA
Tash analizat janë bërë në forma të ndryshme. Praktikisht kjo Qeveri, vërtet koalicioni i ka mbi 60 vota në Kuvendit, rreth 56 – 57, por me pakicat edhe me AKR-në, e cila i mbështjell një numër të partive tjera brenda, do të thotë janë vota, të cilat tani për tani janë shumicë për partitë që janë në koalicion. Ne gjithmonë, si opozitë, jemi të interesuar që ta sfidojmë atë dhe jemi të interesuar së pari ta detyrojmë qeverinë që ajo të punojë sa më mirë dhe ta realizojë mandatin sa më mirë, por çdo parti në opozitë është e interesuar që të vijë sa më shpejt deri te zgjedhjet dhe ta rrëzojë qeverinë që është në pushtet.

Unë nuk jam për atë që ta masim forcën përmes votave, sepse nganjëherë në qoftë se gjendet arsye shumë e fortë, mund të kemi përkrahës edhe brenda deputetëve që janë me pozitën që ata të na ndihmojnë, por ne do të bëjmë përpjekje maksimale që ta kryejmë reformën zgjedhore dhe që të krijohen kushte që të mbahen zgjedhjet e rregullta me një marrëveshje tonën. Unë zgjedhje të rregullta i konsideroj edhe zgjedhjet që do t’i mbanim në vjeshtë të këtij viti, sepse një qasje e tillë është shumë më e mirë sesa të bëhet përmes rrëzimit të Qeverisë, pastaj shpalljes së zgjedhjes së jashtëzakonshme në situatën kur nuk i kemi pastruar listat, dhe as kemi bërë reformën zgjedhore dhe situatën kur nuk e kemi të sigurt pjesëmarrjen e vëzhguesve ndërkombëtarë.

Unë nuk jam për atë që ne të futemi në zgjedhje pa pjesëmarrje të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe pa pastrim të listave, sepse ne vetëm do të përsërisnim një situatë që ka qenë shumë e pakëndshme edhe për ne brenda, por edhe për komunitetin ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Dy liderë të partive tjera politike, kushtimisht thënë, kanë shpallur synimet -kandidaturat e tyre për kryeministrin e ardhshëm. Po ju, pretendoni të mbani postin e kryetarit të Prishtinës apo do të synoni postin e kryeministrit të Kosovës?

ISA MUSTAFA
Vetë fakti që unë jam në krye të LDK-së dhe përfaqësoj partinë më të madhe opozitare, tregon që është obligimi im të synoj Qeverinë dhe është obligimi që të synoj postin e kryeministrit. A më pëlqen mua apo jo, kjo është çështje tjetër, por e kam obligim partiak dhe e kam synim fitoren e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme, prandaj edhe LDK-ja edhe unë kemi synimin që të marrim Qeverinë dhe drejtojmë atë gjatë mandatit të ardhshëm.