Muralet e Kievit që nderojnë heroizmin e të rënëve

Imazhi në përmasa të mëdha i një luftëtari të maskuar që mban një mace, ndërsa në sfond ka flamurin ukrainas, është pikturuar në anë të një blloku apartamentesh në Kiev. Murali përshkruan vullnetarin Oleksiy Movchan, një 49-vjeçar që u vra nga bombardimet ruse në maj të vitit 2022, në rajonin e Donjeckut, menjëherë pasi ai dhe tre nga shokët e tij ushtarë shpëtuan 11 civilë dhe macen e tyre. Imazhi është riprodhuar nga një foto e shkrepur disa momente para se Movchan të vritej.

Një mural me imazhin e një piloti ukrainas i cili tregon një shenjë me gishtin lart në një mur apartamenti në Kiev, Ukrainë, 19 janar 2024. Është një referencë për një foto të famshme që qarkulloi në muajt e parë të luftës, ku supozohet se tregon "Fantazmën e Kievit" - një pilot mitik i cili u tha se rrëzoi  shumë avionë rusë duke mbrojtur qiellin mbi kryeqytet në 30 orët e para të pushtimit.

Një mural përshkruan Shën Javelin, një personazh imagjinar në një stil ikone që mban armën antitank FGM-148 Javelin, që ushtria ukrainase përdori kundër trupave ruse, në Kiev, Ukrainë, 2 shkurt 2024. Shën Javelin është simbol i rezistencës kundër pushtimit rus të Ukrainës.

Fëmijët duke shikuar një mural që përshkruan qenin e quajtur Patron, një qen gjurmues me një nuskë nga Shërbimi i Situatave Emergjente të Ukrainës, në Kiev, Ukrainë, 2 shkurt 2024. Patron, i lindur më 2019, u shpërblye me shumë çmime vendase dhe të huaja për punën e tij në gjetjen dhe çaktivizimin e municioneve të pashpërthyera të lëna pas nga trupat ruse. Në nëntor të vitit 2022, UNICEF-i e njohu Patronin si "Ambasador i Vullnetit të Mirë" në Ukrainë. 

Murali me imazhin e ushtarit Andriy Ogorodnik, 23-vjeçar, luftëtar i regjimentit Azov të Ukrainës, në një ndërtes apartamentesh në Kiev, Ukrainë, më 2 shkurt 2024. Ogorodnik u vra në betejë me trupat ruse më 26 prill të vitit 2022 derisa po mbronte Fabrikën Azovstal në Mariupol.

Një burrë kalon pranë një murali të bazuar në një foto, e cila është bërë gjatë ndeshjes së futbollit në shkurt të vitit 2023 ndërmjet Dinamo Zagrebit dhe Hajduk Splitit në Zagreb, në një mur në Kiev, Ukrainë, 19 janar 2024. Tifozët e Dinamo Zagrebit u bënë homazhe ushtarëve ukrainas dhe tifozëve të futbollit, të cilët ishin vrarë në betejat me trupat ruse, ndërsa valëvitnin pankarta me emrat e tyre dhe sloganet "Lavdi Ukrainës!". Në banerin e madh shkruan: "Borodach Division", emri i një njësie në Regjimentin Azov të krijuar nga tifozët e futbollit.

Një mural përshkruan një ushtar 19-vjeçar nga Garda Kombëtare e Ukrainës, Roman Holomba, i cili rrëzoi shtatë avionë rusë dhe një raketë me një sistem raketor portativ anti-ajror Igla, në Kiev, Ukrainë. Holomba është ushtari më i ri që është vlerësuar me çmimin shtetëror "Hero i Ukrainës".

Mural në Kiev me imazhin e Oleksandr Khmil, një kampion ukrainas në hokej mbi akull dhe ushtar vullnetar. Khmil u vra në një betejë të ashpër me trupat ruse pranë Bahmutit në rajonin lindor të Ukrainës, Donjeck, në majin e vitit 2023.

Imazhi i vullnetares së kopshtit zoologjik, Anastasia Tykha, me një tufë qensh ka zënë vend në murin e një ndërtese banimi në Kiev, Ukrainë, më 19 janar 2024. Tykha shpëtoi rreth 30 qen gjatë betejave të ashpra me trupat ruse në qytetin e saj të lindjes, Irpin pranë Kievit, në marsin e vitit 2022. Disa nga qentë ishin me aftësi të kufizuara.

Për të nderuar kujtimin e ushtarakut Serhiy Mashovets, murali shfaq ushtarë vullnetarë të brigadës së 3-të sulmuese në murin e një pallati në Kiev, më 1 shkurt 2024. Mashovets u vra në vitin 2022 duke mbrojtur kryeqytetin ukrainas, Kiev, nga trupat ruse. Ai ishte një aktivist ekologjik që donte të krijonte një park natyror në rrethin e qytetit të tij të lindjes.

Ushtari vullnetar ukrainas Maksym Yalovtsov, 32 vjeç, ipërjetësuar në një mural në Kiev, Ukrainë, të hënën, 5 shkurt 2024. Yalovtsov, lojtar i ragbi dhe trajner i mundjes, u vra në një betejë me trupat ruse më 2022. Në fund të imazhit gjigant që shtrihet në gjatësinë e një pallati të lartë në lagjen ku dikur jetonte Yalovtsov, është vendosur mbishkrimi:
"Kur veprat e tua flasin më shumë se fjalët, atëherë fama jote ia kalon dritës".