Të dhënat e fundit të kompletuara për shkallën e punësimit dhe të papunësisë në Kosovë janë të vitit 2020 - më të reja nuk ka.
Agjencia e Statistikave të Kosovës - që është autoritet shtetëror për grumbullimin, përpunimin dhe publikimin e të dhënave zyrtare - nuk ka publikuar statistika të plota për vitin 2021.
Me ligjin në Kosovë, rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore duhet të publikohen katër herë në vit, më saktësisht pas çdo tremujori.
Të dhënat për tremujorin e parë të vitit 2021 janë publikuar në tetor të vitit të kaluar; të tjerat për atë vit mungojnë.
SHIKONI EDHE: Shkalla e papunësisë, sipas dëshirësNga ASK-ja thonë se pandemia e koronavirusit - që ka imponuar periudha të kohëpaskohshme izolimi - ka bërë që të ketë vonesa në grumbullimin e të dhënave në terren.
“Rezultatet për tremujorin e dytë të vitit 2021 do të publikohen në muajt në vijim, ndërsa nuk ka ndonjë datë të caktuar se kur mund të publikohen rezultatet tjera”, thuhet në një deklaratë të ASK-së për Radion Evropa e Lirë.
Statistikat, të nevojshme për raporte dhe hulumtime
Për shkak të kësaj situate, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të instituteve të ndryshme thonë se e kanë të vështirë përgatitjen e raporteve apo hulumtimeve.
Bedri Xhafa, udhëheqës i përgjithshëm i Agjencisë së Përkrahjes së Punësimit në Kosovë (Agjensioni i Përkrahjes së Punësimit, Kosovë), tregon se gjatë përgatitjes së një projekti për Komisionin Evropian, i cili pritet të publikohet së shpejti, i janë dashur të dhëna të punësimit dhe papunësisë.
Në mungesë të tyre, Xhafa thotë se i është dashur të kërkojë alternativa.
“Duhet të jenë të dhëna aktuale, jo të para një viti... Mungesa e tyre natyrisht se na ka paraqitur vështirësi. Ne jemi shërbyer me shënime të tjera, por për çdo donator - kur e prezantojmë projektin - më i besueshëm është kur thirresh në të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës”, thotë Xhafa për Radion Evropa e Lirë.
“Është vështirë të gjesh ndonjë institucion apo organizatë, që sivjet është marrë me fuqinë punëtore”, thotë në anën tjetër Blerim Burjani, drejtor në Institutin e Kosovës për Politika Zhvillimore.
- Deri te puna përmes Agjencisë së Punësimit
- Papunësia, problemi më i madh pas pandemisë
- Edhe papunësi, edhe krizë për punëtorë
Sipas tij, nëse ASK-ja nuk ka të dhëna, organizatat e kanë të vështirë grumbullimin e tyre, për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe financiare.
Të dhënat e ASK-së për tremujorin e parë të vitit 2021 tregojnë se 359,167 qytetarë të Kosovës - nga mosha 15 deri në 64 vjeç - kanë qenë të punësuar. Kjo i bie më pak se 30 për qind e popullsisë në moshë pune.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Nga Administrata Tatimore e Kosovës thonë se kanë të dhëna për gjithë vitin 2021, të cilat tregojnë se në atë periudhë kanë qenë të regjistruar 376,972 punëtorë.
Kjo shifër tregon rritje të punësimit, nëse krahasohet me të dhënat e ASK-së për komplet vitin 2020, të cilat flasin për 370,897 të punësuar.
Mungesa e statistikave është “hendikep”
Xhevat Sopi, profesor në fushën e statistikave ekonomike në Universitetin “Haxhi Zeka” në Gjilan, thotë se nga mungesa e statistikave zyrtare, mund të ketë pasoja negative.
Sipas tij, statistikat ndikojnë në vendimmarrjen e institucioneve që dizajnojnë politika.
“Është shumë problematike në kuptimin e zhvillimit të politikave, pasi nuk dihet trendi i papunësisë dhe punësimit - a është duke u rritur apo zvogëluar”, thotë Zeka.
SHIKONI EDHE: Vende të reja pune apo regjistrim i punëtorëve të vjetër?Përveç punësimit, ASK-ja, në periudha të ndryshme kohore, ofron të dhëna edhe për zhvillimin ekonomik dhe social, kushtet e jetesës, shëndetësinë, arsimin, mjedisin e të tjera.
Këto statistika më pas përdoren nga institucionet e nivelit qendror dhe lokal, komuniteti i biznesit, institucionet hulumtuese dhe akademike, mediat dhe shoqëria civile, por edhe nga organizatat ndërkombëtare, si: Bashkimi Evropian, Organizata e Kombeve të Bashkuara, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore e të tjera.
Andaj, thotë Sopi, mungesa e të dhënave zyrtare, që konsiderohen të besueshme, “është hendikep për kërkuesit dhe për hulumtuesit shkencorë”, që duan të nxjerrin “përfundime adekuate”.
Agjencia e Statistikave të Kosovës, për më tepër, nuk ka publikuar ende as Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës për vitin 2021 - dokument ky që përfshin të gjitha të dhënat statistikore të shtetit.