Mungesë e kuadrit mjekësor për trajtimin e epilepsisë

Ilustrim

Ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare, profesionistët shëndetësorë thonë se numri i personave të prekur nga epilepsia, çdo vit shënon rritje. Shtimi i numrit, sipas tyre, vërehet te rastet që paraqiten për trajtim mjekësor.

Bazuar në të dhënat jozyrtare, në Kosovë janë rreth 12 mijë persona që vuajnë nga epilepsia.

Trajtimi mjekësor i kësaj sëmundjeje, mbetet sfidë për fëmijët e prekur, të cilët jetojnë në familje me të ardhura të ulëta dhe me të ardhura të mesme.

Kështu thonë zyrtarë nga Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF).

Sipas tyre, institucionet shëndetësore publike duhet të ndërmarrin veprime për një furnizim afatgjatë dhe të qëndrueshëm me barna në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Klevis Vaqari, menaxhere e programit në KOMF, i tha Radios Evropa e Lirë se mjekimi i fëmijëve me epilepsi kërkon trajnim dhe eksperiencë të duhur të personelit shëndetësor, përpos barnave e esenciale të domosdoshme.

“Ne kemi rekomanduar për institucionet që të garantojnë një furnizim të qëndrueshëm e sidomos të mos mungojnë barnat e listës esenciale. Pastaj edhe mungesa e profesionistëve mbetet sfidë dhe kemi rekomanduar rritje të numrit të profesionistëve të kësaj fushe. Po ashtu, kemi rekomanduar vetëdijësim përmes programeve të ndryshme”, tha Vaqari.

Ndërkohë, neurologu Nexhmedin Shala tha për Radion Evropa e Lirë tha se sa i përket kësaj sëmundjeje, ka shumë probleme në trajtimin e saj.

“Epilepsia është një sëmundje që është e pranishme sikurse në vendet e rajonit, ndonëse ne nuk kemi regjistër. Të gjithë të prekurit me epilepsi, që kërkojnë ndihmë mjekësore, trajtohen mirë. Vështirësitë janë të natyrave tjera, si lista me barna që mungojnë, kështu që pacientët detyrohen t’i blejnë vetë ato. Këto ilaçe gjenden në tregun farmaceutik”, tha Shala.

“Ne kemi gjithashtu probleme me edukim të mirëfilltë me profesionistët e kësaj lëmie dhe trajtimet kirurgjikale ende vazhdojnë të mos kryhen në Kosovë”, tha tutje ai.

Në anën tjetër, Valbona Govori kryetare e shoqatës kundër epilepsisë, tha se krijimi i një sistemi të raportimi është më se i nevojshëm. Ajo përmend edhe mungesën e Ligjit për sigurime shëndetësore, që siç thotë ajo, do të ndihmonte në mbledhjen e të dhënave të sakta për personat që vuajnë nga epilepsia.

Megjithatë Govori si sfidë përmend edhe stigmatizimin e personave që vuajnë nga epilepsia, e që mendon se mbetet një prej problemeve kyçe.

“Stigma dhe diskriminimi është një barrë e rëndë për ta dhe familjet e tyre. Kjo po rezulton edhe me mungesë të dhënash për sëmundjen. Ne sa po kemi mundësi po e bëjmë sensibilizimin popullatës rreth kësaj sëmundjeje. Megjithatë, stigma dominon. Ka pacientë që janë të diskriminuar në punësim e të tilla. Këta për shembull, nuk e lajmërojnë sëmundjen për shkak të frikës mos po e humbin vendin e punës. Kjo mendoj është shqetësuese”, tha Govori.

Ndryshe, Ligji për shëndetësi parasheh ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjithëpërfshirëse dhe jodiskriminuese me standarde të barabarta në kujdesin shëndetësor për të gjithë qytetarët, duke siguruar standardet gjatë përmbushjes së kërkesave në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.