Kërste Bllazheski, pronar i një hoteli në Strugë, është një nga hotelierët e shumtë që po përballen me mungesë të kuadrit të kualifikuar, të nevojshëm për veprimtarinë e tyre në sektorin e gastronomisë dhe hotelerisë.
Kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19, mosinteresimi i të rinjve për arsimim në drejtimet profesionale, por edhe largimi i të tjerëve jashtë Maqedonisë së Veriut kanë bërë që shumë biznese të përballen me mungesë të punëtorëve profesionalë.
Bllazheski menaxhon hotelin “Drim” në Strugë, i cili për shkak të pandemisë ka përgjysmuar kapacitetet, shkaku i rënies së fluksit të turistëve të huaj.
Tani, me lehtësimin e masave anti-COVID, ai pret përmirësim të gjendjes, por tani përballet me mungesën e kuadrit.
“Po luftojmë me frikën e këtij problemi. Kemi mungesë të kamerierëve dhe kuzhinierëve. Tani po bëjmë trajnime për të siguruar numrin e nevojshëm të këtyre punëtorëve. Ne, edhe më parë bëmë trajnime, shfrytëzuam të gjitha fondet që kishte ndarë Qeveria si ndihmë për sektorët e ekonomisë, por një pjesë e tyre sërish vendosën të largohen nga vendi, të gjejnë punë në ndonjë nga shtetet tjera, ku marrin paga më të larta".
"Mundësitë tona janë të kufizuara, çmimet janë të ulëta për shërbimet që ofrojmë për turistët, andaj edhe pagat nuk mund të jenë sikur në vendet e tjera”, thotë Bllazheski.
SHIKONI EDHE: Shumë dokumente për të përfituar kuponë për pushimePor, përkundër kësaj, ai thotë se hotelierët kanë shlyer të gjitha detyrimet ndaj këtyre punëtorëve.
“Ne punojmë vetëm gjatë sezonit të verës, pesë apo gjashtë muaj, por pavarësisht se janë punonjës sezonalë, ne i paguajmë edhe për muajt që nuk janë të angazhuar. Ne nuk mund të bëjmë asgjë më tepër, rregullativa ligjore është e tillë, nuk mund të bëjmë marrëveshje për punësime në afat më të gjatë”, thotë Bllazhevski.
Një problem serioz, ai e sheh edhe në mosinteresimin e të rinjve për t'u regjistruar në shkollën e mesme profesionale në Ohër, në veçanti në drejtimet e turizmit.
Sipas tij, në këtë shkollë më shumë ka të regjistruar nga qytetet e tjera, sesa nga Ohri dhe Struga, që janë qytete turistike.
Se kompanitë përballen me mungesë të punonjësve të kualifikuar, flasin edhe të dhënat e Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut.
“Gjashtëdhjetepesë për qind e kompanive që kanë marrë pjesë në anketën e Odës Ekonomike, janë ankuar se s’mund të gjejnë kuadër përkatës profesional për nevojat e tyre. Edhe pse bizneset vështirë gjejnë punonjës adekuatë, në vend nuk ka interes të mjaftueshëm për arsimin profesional. Kompanitë investojnë në kuadro të reja përmes trajnimeve shtesë të personelit, por nevojitet që të rinjtë të orientohen në drejtimet profesionale, arsimin dual dhe joformal”, thotë Natasha Janevska, përfaqësuese e Odës Ekonomike.
Ajo thekson se problemi me mungesën e kuadrit, qëndron edhe në faktin e sistemit arsimor, që nuk është i harmonizuar me nevojat e kompanive.
SHIKONI EDHE: Vaksinimi mund ta shpëtojë turizmin në Maqedoninë e V.“Një nga analizat që është bërë nga Komisioni Evropian për Maqedoninë e Veriut, tregon se 80 për qind e atyre që mbarojnë arsimin profesional, janë të papunë, pikërisht për faktin se ka mosharmonizim mes asaj që kërkohet nga bizneset dhe asaj që ofrohet nga sistemi arsimor”, thotë Janevska.
Sherif Miftari, drejtor i Qendrës për Arsim Profesional dhe Trajnim, thotë se sistemi arsimor ofron mundësi të shumta, drejtime atraktive dhe me perspektivë, porse problemi qëndron në atë se shumica e studentëve regjistrohen në drejtimet tradicionale, si: gjimnaz, juridik, mjekësi, e shumë pak në drejtimet profesionale.
“Misioni i qendrës është që të sigurojë shkollimin dhe trajnimin e kuadrit të kualifikuar, që do të jetë në funksion të tregut të punës, të kontribuojë në rritjen e shkallës së punësimit të të rinjve, si dhe të përmirësojë efektivitetin dhe konkurrencën në ekonomi".
"Kjo mund të arrihet vetëm nëse hiqen disa paragjykime, që ekzistojnë mes nesh. Nuk do të thotë që nëse vazhdon arsimin e mesëm profesional, nesër nuk do mundesh të vazhdosh fakultetin”, thotë Miftari.
Për të nxitur regjistrimin në drejtimet profesionale, Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut ka ndarë bursa për nxënësit në vlerën e 50 eurove në muaj, ndërsa bursa kanë nisur të ndajnë edhe kompanitë për të stimuluar regjistrimin, por edhe për të siguruar kuadrin e nevojshëm pas mbarimit të shkollimit të tyre.