Kosova tashmë është pranuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, UEFA, FIFA dhe shumë organizata tjera botërore të sportit, por vendi ende nuk ka një Agjenci Anti-Doping.
Kjo nuk ka ndodhur as shtatë vjetë pas ndryshim-plotësimit të Ligjit për Sportin, i cili parasheh themelimin e një agjencie të tillë.
Përderisa sportistët dhe njohësit e sportit kërkojnë përmbushjen obligimeve ligjore, në Ministrinë për Sport thonë se nuk kanë pajisje dhe kuadro të akredituara për themelimin e Agjencisë Anti-Doping.
Sipas ministrisë, shkak për këtë është “mungesa e sigurimit te pajisjeve/aparaturës mjekësore për Agjencinë Anti-Doping dhe kapaciteteve njerëzore për përdorimin e tyre”.
SHIKONI EDHE: A mund të jetësohet ëndrra evropiane e Kosovës në futboll?Për të funksionalizuar agjencinë, në këtë ministri thonë se janë duke u angazhuar për përgatitjen e kuadrove dhe në përmirësimin e infrastrukturës ligjore.
“Për funksionalizimin dhe strukturën organizative të Agjencisë së Kosovës Anti-Doping kërkohet kuadër i cili është i akredituar nga WADA dhe në kuadër te kësaj kemi funksionalizuar komisionin anti-doping në kuadër te Komitetit Olimpik të Kosovës për ngritjen e kapaciteteve. Jemi në përmirësimin të infrastrukturës ligjore, plotësim ndryshim ligjin për sport duke u bazuar në standardet e organizatave sportive ndërkombëtare dhe Kartës Olimpike që funksionimi i sportit të jetë në harmoni me dispozitat të cilat janë obligative”, thuhet në përgjigjen me shkrim të kësaj ministrie.
Megjithatë, në Ministrinë për (Kulturë, Rini dhe) Sport nuk kanë dhënë asnjë afat kohor për themelimin dhe funksionalizimin e Agjencisë Anti-Doping.
“Doping”-u është përdorim i substancave të ndaluara, nga sportistët, me qëllim të përmirësimit të performancës së tyre fizike dhe mendore, gjatë garave. Stimultatët dhe hormonet janë dy prej doping-drogave më të zakonshme.
Pos përmirësimit të performacës, si dhe të qenit në kundërshtim me rregullat dhe frymën e sportit, “doping”-u është i ndalur edhe për shkak se mund të paraqesë rrezik për shëndetin e atletëve.
Shumë sportistë në botë janë suspenduar ose u është ndaluar marrja me sport kur është zbuluar se ata kanë marrë substanca ilegale.
Që kur Kosova shpalli pavarësinë, në vitin 2008, sportistët kosovarë kanë qenë imazhi kryesor pozitiv i Kosovës në botë, e përparim ka pasur edhe në garat vendore.
Në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), thonë se krijimi i kësaj agjencie është i domosdoshëm dhe se duhet të ndodhë sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, thotë se federata ka kryer obligimet e saj duke miratuar rregulloren anti-doping, por shton se problem është mungesa e institucionit që do t’i kryente testet.
“Ne e kemi miratuar rregulloren për anti-doping, por tani duhet të kemi subjektin, i cili kryen këto teste, për arsye se vjen personi i caktuar nga UEFA dhe ata presin ne ta kemi këtë institucion, e në fakt nuk e kemi”, thotë Salihu.
Salihu shton se themelimi i Agjencisë Anti Doping është zgjidhja e vetme, pasi sipas tij, komisionet brenda Federatës së Futbollit nuk mund të jenë kompetente sa agjencia.
“Për shkak që bëhet fjalë për një organ profesional dhe të pavarur, ata (personeli i agjencisë anti doping) duhet të trajnohen në agjencitë ndërkombëtare anti-doping, të komiteteve olimpike. Federata e Futbollit duhet t’i nënshtrohet dhe të pranojë kompetencën e komisioneve anti-doping të themeluara në këtë mënyrë. Për fat të keq nuk e kemi akoma këtë. Ne kemi provuar që përmes Federatës së Futbollit të krijojmë komisione të tilla, por nuk besoj që do të mund të jenë kompetente, prandaj hapi tjetër është që presion në Komitetin Olimpik dhe Ministrinë për Sport, për themelimin e Agjencisë Anti-Doping,” shton Salihu.
Në mungesë të agjencisë, në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) thonë se pas presionit ndërkombëtar janë detyruar të bëjnë një zgjidhje të përkohshme.
Kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, thotë se me rekomandim të Agjencisë Ndërkombëtare për Anti Doping, përkohësisht punën e agjencisë po e kryen Komisioni Mjekësor në kuadër të Komitetit Olimpik.
“Me Ligjin për Sport parashihet që Qeveria ose Ministria për Sport të themelojnë Agjencinë për Anti-Doping. Por meqenëse kjo nuk është bërë ende, ne kemi pasur presion të jashtëzakonshëm nga WADA, që është Wolrd Anti-Doping Agency (Agjencia Botërore për Anti-Doping), dhe kur u kemi sqaruar atyre se kjo duhet të bëhet nga Qeveria, ata na kanë sugjeruar për një zgjidhje të përkohshme që rolin e kësaj agjencie ta luaj Komiteti Olimpik, derisa të merret një vendim – ose të ndryshojë ligji aktual dhe kjo detyrë t’i besohet Komitetit Olimpik ose mos të ndryshohet asgjë dhe të themelohet Agjencia për Anti-Doping. Pra, Komiteti Olimpik shërben vetëm përkohësisht si organizatë në mënyrë që edhe ne të jemi koherent me shtetet tjera.” shpjegon Hasani.
Juristi i sportit, Fisnik Salihu, vlerëson se procedurat për themelimin e Agjencisë Anti-Doping është dashur të nisin menjëherë pas miratimit të ndryshim-plotësimit të Ligjit për Sportin, në vitin 2011.
“Aspekti kohor nuk është i përcaktuar (në ligj), mirëpo prej momentit që ligji ka hyrë në fuqi kjo ka qenë kërkesë ligjore dhe është dashur që të iniciohet proceduara për themelimin e Agjencisë Anti Doping,” thotë ai.
Sipas tij, themelimi dhe funksionalizimi i një agjencie të tillë është i domosdoshëm, pasi shumë vende të botës pos agjencive anti doping, kanë miratuar edhe ligje të veçanta anti doping.
“Agjencia Anti-Doping në Kosovë është shumë e nevojshme për shkak se funksionimi dhe aktivitet e tij do ta ngisnin kulturën sportive dhe disiplinën në mesin e sportistëve. Mirëpo një gjë e tillë deri tani nuk ka ndodhur, edhe pse konsiderojmë që është mjaft e nevojshme, sidomos pas ndërkombëtarizimit të sportit - duke pasur parasysh që sportistët tanë marrin pjesë në gara vendore dhe ndërkombëtare. Në disa vende të zhvilluara përveç agjencisë anti doping, çështjen e anti dopingut e kanë kriminalizuar duke miratuar ligj të veçantë anti doping,” thekson Salihu.
Momenti i vetëm kur sportistët kosovarë i nënshtrohen testeve anti-doping, është kur marrin pjesë në lojëra ndërkombëtare jashtë Kosovës.
Aktualisht, sportistët e përshirë në garat vendore, brenda Kosovës, u nënshtrohen vetëm testeve të rregullta mjekësore, por jo edhe “doping testit”.