Kosova, në pesë vjetët e fundit, ka pranuar katër njohje ndërkombëtare.
E shpallur e pavarur 14 vjet më parë, Kosova është njohur nga 117 shtete në total.
Gati gjysma prej tyre e kanë njohur në vitin e shpalljes së pavarësisë, më 2008.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e njeh ende Serbia, e cila me Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë si pjesë të veten, e as Bosnje dhe Hercegovina.
Nga vendet e Bashkimit Evropian nuk e ka njohjen e Greqisë, Rumanisë, Spanjës, Sllovakisë dhe Qipros.
Kjo, edhe përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.
Mosnjohjet, në një mënyrë ose tjetër, e pengojnë Kosovën - nisur nga lëvizja e lirë deri te pranimi në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
SHIKONI EDHE: Gjumi njëvjeçar i politikës së jashtme kosovareNë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë (MPJD) nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë rreth çështjes së lobimit për njohje.
Në ueb-faqen e kësaj ministrie, te pjesa për politikën e jashtme, shkruan se MPJD “mbetet fuqimisht e angazhuar për të lobuar për njohje ndërkombëtare nga ana e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me qëllim të forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës dhe për të vendosur marrëdhënie diplomatike me shumicën e shteteve anëtare të OKB-së”.
Njohja e fundit që ka marrë Kosova ka qenë nga shteti i Izraelit, më 1 shkurt, 2021. Kjo njohje ka qenë pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e nënshkruar në Uashington, më 4 shtator, 2020, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Your browser doesn’t support HTML5
Para Izraelit, për gati tre vjet, Kosova nuk është njohur nga asnjë vend.
Për më tepër, ajo është përballur me fushatën e Serbisë për çnjohje. Autoritetet në Serbi kanë thënë se kanë arritur t’i bindin disa vende për të tërhequr njohjet e Kosovës, në mesin e tyre: Surinami, Burundi, Liberia, Ishujt Solomon, Madagaskari, Togo, Republika Qendrore e Afrikës, Gana, Siera Leone e të tjera. Autoritetet e Kosovës, megjithatë, nuk kanë konfirmuar ndonjë çnjohje.
Pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit ka qenë edhe një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e Serbisë për çnjohjen e Kosovës, ashtu si edhe një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.
Moratoriumet kanë skaduar në shtator të vitit të kaluar dhe nuk është e qartë nëse Serbia ka rinisur fushatën e saj. Po ashtu, nuk është bërë e ditur që Kosova ka aplikuar për anëtarësim në ndonjë organizatë të huaj ndërkombëtare.
Spahiu: MPJD ka stagnuar
SHIKONI EDHE: Mungesa e njohjeve – Diplomacia në pauzëAvni Spahiu, i cili ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara dhe në Turqi, thotë se MPJD duhet të aktivizohet dhe të sigurojë njohje të reja për Kosovën, që do të fuqizonin subjektivitetin e saj ndërkombëtar.
“Në të kaluarën, Ministria e Jashtme ka pasur një program konkret se si t’u qasemi kërkesave për njohje të vendit, por mendoj se ka një stagnim në angazhimin e duhur të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Për fat të keq, po shihet një neglizhencë”, thotë Spahiu për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, fokusi duhet të jetë në pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin ende Kosovën.
GLPS: Diplomaci pa strategji
Lirika Agusholli, hulumtuese në Grupin për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), thotë se Kosovës i mungon strategjia për sigurimin e njohjeve të reja.
“Është nevojë emergjente që të përpilohet një strategji e qartë pro-aktive nga ana e MPJD-së në Kosovë. Duhet të punohet në organizime, vizita zyrtare dhe samite në vendet mosnjohëse, me qëllim të informimit për gjendjen e shtetit të Kosovës”.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, thënë shumë qartazi, ka shumë punë për të bërë në çështjen e njohjeve të legjitimitetit të shtetit të Kosovës”, thotë Agusholli për Radion Evropa e Lirë.
Edhe sipas saj, Kosova duhet të ketë lobim intensiv në pesë vendet mosnjohëse të BE-së.
SHIKONI EDHE: Paqartësi rreth aplikimeve në organizata ndërkombëtareKosova kërkon njohje reciproke me Serbinë
Kosova, qysh në vitin 2011, është e angazhuar në një dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Dialogu ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet në Kosovë thonë se procesi duhet të përfundojë me njohje reciproke.
SHIKONI EDHE: Kurti: Njohja e shtetësisë së Kosovës nga Serbia nuk ka alternativëMegjithatë, e ardhmja e këtyre bisedimeve është e paqartë. Bartësit aktualë të dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar qysh në korrik të vitit të kaluar.
Një nga mbështetëset më të mëdha të Serbisë në arenën ndërkombëtare, Rusia, e pengon anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Kosova nuk është ende as anëtare e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) e të tjera.
Por, gjatë 14 vjetëve të pavarësisë, ajo ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare - në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.