Mukwege: Mosndëshkimi, porosi negative për viktimat e dhunës seksuale

Denis Mukwege fitues i Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2018.

Mosndëshikimi i autorëve të dhunës seksuale gjatë luftës, është porosi negative për të gjitha viktimat, siç është rasti edhe i Kosovës, ka thënë më 11 nëntor në Prishtinë, Denis Mukwege fitues i Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2018.

Mukwege, gjinekolog nga Kongo, e kishte fituar Çmimin Nobel për shkak të angazhimit të tij, për t'i dhënë fund përdorimit të dhunës seksuale si armë lufte.

Ai po qëndron në Prishtinë, si mysafir kryesor, në konferencën që shënon
20 vjetorin e themelimit të Qendrës së Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

"Arsyeja e prezencës time sot këtu është që zëri i këtyre grave të ngritet edhe më shumë, dhe për t'iu thënë se nuk është faji i tyre që ne nuk kemi arritur t'i mbrojmë ato", tha Mukwege.

Nobelisti Mukwege i bëri deklaratat gjatë një konference për media, ku tha se dhuna seksuale përdoret si armë e shkatërrimit në masë në konfliktet moderne, dhe të qenit i heshtur ndaj saj, lejon që ajo të përsëritet.

“Shërimi i viktimave të dhunës seksuale fillon kur ato fillojnë të flasin për këtë”, shtoi ai.

“Kudo, të gjitha gratë që janë në situatë të ngjashme, kanë frikë, nuk guxojnë të shprehen për shkak të shoqërisë patriarkale. Heshtja është një armë absolute që lejon vazhdimin e dhunës seksuale, armë që mbron ekzekutuesin. Nëse ekzekutuesin e lëmë të pashqetësuar atëherë ai do të vazhdojë dhunën. Faktori i dytë është mosndëshkimi. Njëzet vjet nga lufta në Kosovë, nuk ka patur dënime në asnjë rast. Ky është një mesazh shumë negativ për viktimat e dhunës seksuale", tha Mukwege.

SHIKONI EDHE: Në kërkim të drejtësisë pas 20 vjet heshtjeje

Bazuar në deklaratat e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, llogaritet se janë rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-99. Por, për shkak të paragjykimeve, janë vetëm raste të rralla kur personat që kanë përjetuar këtë dhunë kanë folur për historitë e trishta të tyre.

Duke folur për nevojën e mbështetjes që kanë gratë të cilat kanë qenë subjekt i dhunës seksuale, Mukwege tha se “të gjithë kemi përgjegjësi të mbështesim gratë që vuajnë në trupin e tyre për të fituar drejtësi".

“Drejtësia jo vetëm që luan rolin e ndëshkimit, por gjithashtu luan një rol në parandalimin e gjërave të tilla të mos ndodhin përsëri duke ndihmuar viktimën të rimëkëmbet. Në njëfarë mënyre, dërgohet porosia se nuk është faji i tyre dhe se ato janë viktima pasi shoqëria nuk ka arritur t'i mbrojë ato. Viktimave duhet t'u jepet mundësia t’i rikthehen jetës", shtoi ai.

Nobelisti nga Kongo bëri edhe një krahasim të dhunës seksuale si mjet lufte në vendin e tij dhe në vende tjera, përfshirë Kosovën.

"Në vendin tim, dhuna seksuale ishte përdorur si një mjet lufte, si një strategji lufte për arsye ekonomike, ndërsa në Kosovë, Ruandë, Bosnje dhe Hercegovinë, dhuna seksuale ishte përdorur për spastrim etnik", tha Mukwege, duke shtuar se në spitalin e tij ishin trajtuar më shumë se 55.000 viktima. Në atë spital, sipas tij, u kryen nga operacionet më të thjeshta deri në ato më të vështirat, ngase në shumicën e rasteve dhuna e përdorur ishte ekstreme.

"Qëllimi i tyre ishte t’i shkatërrojnë këto gra", tha Mukwege.

Duke folur për rastin e Kosovës, Mukwege përshëndeti miratimin e ndryshimeve ligjore nga ana e autoriteteve të Kosovës, që u mundësojnë njohjen e statusit dhe dëmshpërblimin viktimave të dhunës seksuale të luftës.

Mukwege shprehu besim se lëvizja SEMA - e cila mbledh së bashku gratë që janë viktima të dhunës seksuale nga 20 vende - do të arrinte të sigurojë status dhe drejtësi ndërkombëtare dhe për këto gra.

"Ky nuk është një problem specifik për Ballkanin, apo Lindjen e Mesme, është një problem botëror që ka nevojë për një zgjidhje botërore", përfundoi ai.

Video nga arkivi: Heroinat e paqes

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se qendrës që ajo e udhëheqë, i janë dashur 15 vjet për të bindur insitucionet dhe opinionin, se ishte e nevojshme mbrojtja ligjore për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë.

Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin i cili ua njeh viktimave të dhunës seksuale statusin e viktimës, duke u mundësuar atyre disa përfitime të caktuara dhe një pension prej 230 euro në muaj.

Deri në gjysmën e këtij viti, më shumë se 1000 persona kanë aplikuar për statusin e viktimës së dhunës seksuale. Ky status u është pranuar 406 personave, prej të cilëve 394 janë gra dhe 12 meshkuj.

Përgatiti: Kestrin Kumnova