Pas gati dy vjetësh në detyrë, këshilltari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Robert Mueller, i përfundoi hetimet për bashkëpunim të mundshëm të fshehtë midis presidentit amerikan, Donald Trump, ose zyrtarëve të fushatës së tij me Rusinë, gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Raporti u dorëzua te prokurori i përgjithshëm amerikan, William Barr.
Barr tani do të vendosë se sa pjesë të tij do të ndajë me Kongresin.
Në një letër dërguar Kongresit, Barr tha se mund të raportojë rreth përfundimeve kryesore në fundjavë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha përmes një deklarate se “hapat e ardhshëm varen tani nga prokurori Barr”.
“Shtëpia e Bardhë nuk ka marrë dhe nuk është informuar për raportin e këshilltarit të posaçëm”, tha Sanders.
Avokatët personalë të Trumpit, Rudy Giuliani dhe Jay Sekulow, u shprehën në frymë të ngjashme, duke thënë se janë “të kënaqur” që raporti është dorëzuar dhe se besojnë se Barr “do të bëjë hapat e duhur”.
Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi, bëri thirrje për transparencë.
Këtë muaj, Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka votuar njëzëri për një rezolutë që kërkon nga Departamenti i Drejtësisë të shpalosë gjithë raportin para publikut, duke sinjalizuar mbështetjen e të dyja partive për të zbuluar atë që ka konstatuar Mueller.
Hetimet e çështjes ruse tashmë kanë çuar në aktakuza, arrestime dhe dënime për disa njerëz të rrethit të Trumpit.
Trump thotë se hetimet janë një sulm i motivuar politikisht kundër presidencës së tij.
Ai shpesh u referohet atyre si “gjueti e shtrigave”, e udhëhequr nga mbështetësit e kundërshtares së tij demokrate në zgjedhjet e vitit 2016, Hillary Clinton.
Trump ka marrë detyrën e presidentit në janar të vitit 2017, por vetëm disa javë para se ai të betohej, një raport nga inteligjenca kombëtare ka konstatuar se Rusia ka udhëhequr operacione për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016, në favor të zgjedhjes të Trumpit president.
Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë zbuluar se Rusia ka kryer sulme kibernetike, ka pirateruar emailet e Partisë Demokratike dhe ka shpërndarë lajme të rreme në mediat sociale.
Drejtori i atëhershëm i FBI-së, James Comey, ka nisur një hetim fillestar të ndërhyrjes ruse.
Në maj të vitit 2017, Trump e ka shkarkuar atë. Presidenti, fillimisht, ka thënë se shkarkimi i Comeyt është bërë për arsye që nuk lidhen me hetimet e çështjes ruse.
Por, më vonë, në një intervistë për NBC-në, ai ka pranuar të kundërtën.
Në maj të vitit 2017, zëvendësprokurori i përgjithshëm amerikan, Rod Rosenstein, e ka emëruar Muellerin këshilltar të posaçëm për kryerjen e hetimeve të pavarura.
Përgatiti: Valona Tela