MPJD: Serbia liron Sadik Durakun

Ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës. Fotografi ilustruese nga arklivi.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se ka Serbia ka liruar nga paraburgimi kosovarin Sadik Duraku, që ishte arrestuar më herët gjatë këtij vitit nën dyshime për krime lufte më 1999.

Duraku, me shtetësi të Britanisë së Madhe dhe Kosovës ishte arrestuar më 17 prill në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi në Batrovci.

Autoritetet serbe dyshonin se ai kishte kryer veprën penale “krim lufte kundër popullatës civile”.

Sipas Serbisë, dyshohej që Duraku “së bashku me persona të panjohur, gjatë vitit 1999, në zonën e komunës së Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rrahur, fizikisht, ka ngacmuar mendërisht dhe ka grabitur popullatën civile”.

Avokati i tij më herët i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se Duraku, shtetas i Britanisë së Madhe, që nga dhjetori i vitit 1998 kishte qenë në këtë shtet dhe nuk ishte kthyer në Kosovës deri në vitin 2004.

Edhe familja e tij kishte thënë për REL-in se Duraku kishte jetuar në Britani të madhe para se të niste lufta në Kosovë.

Edhe shtetas të tjerë të Kosovës gjenden në paraburgim në Serbi, nën akuza për krime lufte: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj dhe Tefik Mustafa.

Ndërkaq, ditë më parë MPJD po ashtu konfirmoi se M.I, i ndaluar në Serbi nën dyshime për krime lufte është shtetas i Kosovës.

Autoritetet e Kosovës i kanë dërguar kërkesë Serbisë që të ekstradojë në Kosovë shtetasit kosovarë që mbahen nga autoritetet serbe. Megjithatë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar në korrik të këtij viti se nuk pret që Serbia t'i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese.