MPB-ja, për sulmet ndaj policëve: Të orkestruara nga Beogradi

Policë kosovarë qëndrojnë pranë ndërteses komunale në Zubin Potok, 31 maj 2023.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka reaguar ndaj sulmeve të bëra ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit duke thënë se “kriminelët do të identifikohen dhe do të ballafaqohen me drejtësi” dhe se ato janë të “orkestruara dhe dirigjuara nga Beogradi”.

Policia e Kosovës bëri të ditur se një zyrtar policor ka pësuar lëndime dhe tri vetura janë sulmuar në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan gjatë ditës së 31 majit.

Në komunikatën e Ministrisë së Brendshme thuhet se protestuesit nuk janë provokuar nga zyrtarët policorë.

“Sulmet e tilla janë të papranueshme. Këto grupe huliganësh po vijojnë të dëshmojnë se janë të orkestruara dhe të dirigjuara nga Beogradi që të destabilizojnë vendin tonë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme, ku theksohen edhe sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it e gazetarëve.

Edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar duke thënë se këto sulme u kryen nga "grupe kriminale të maskuara, të drejtuara nga Beogradi".

SHIKONI EDHE: Lëndohet një polic në veri, tri vetura të Policisë të sulmuara gjatë ditës

Protestat në tri komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - në nëntor të vitit të kaluar.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.

Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.

Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.