Kim Yo-jong, motra e liderit verikorean, Kim Jong-un, ka thënë se zyrtarë verikoreanë janë të gatshëm të rikthejnë bisedimet me Korenë Jugore, nëse kjo e fundit heq dorë nga “politikat armiqësore”.
Kim Yo-jong është përgjigjur ndaj thirrjeve të fundit nga jugkoreanët për t’i dhënë fund edhe zyrtarisht Luftës Koreane.
Konflikti, i cili ka ndarë në dysh Gadishullin Korean, ka përfunduar më 1953, me një armëpushim dhe jo traktat për paqe.
Të dyja shtetet kanë qenë teknikisht në luftë prej atëherë, dhe shpesh janë përfshirë në situata tensionuese.
SHIKONI EDHE: Lideri verikorean e pranon se është rënduar situata me ushqimKëtë javë, presidenti jugkorean, Moon Jae-in, u ka bërë thirrje dy Koreve dhe aleatëve të tyre – Shteteve të Bashkuara, që përkrahin Korenë e Jugut dhe Kinës, e cila njihet si partnerja më e fuqishme e Koresë Veriore – që t’i japin fund edhe zyrtarisht konfliktit dhe të kthejnë paqen në Gadishull.
Kjo ide është hedhur poshtë fillimisht nga një ministër korean.
Mirëpo përmes një deklarate të papritur të premten, Kim Yo-jong ka thënë se ideja është e “admirueshme”.
Megjithatë, ajo ka thënë se Koreja Veriore do të mund të diskutojë propozimin, nëse Koreja Jugore heq dorë nga ato që i ka konsideruar “politika armiqësore” ndaj tyre.
“Ajo prej së cilës duhet hequr dorë janë qëndrimet dypalëshe, shprehitë e këqija dhe qëndrimi armiqësor që arsyeton veprimet e veta, duke lënë fajin vetëm te e drejta jonë për t’u mbrojtur”, ka thënë ajo përmes një deklarate.
Më herët gjatë këtij muaji, Koreja Jugore ka testuar raktën e parë balistike, të lëshuar nga një nëndetëse, vetëm disa orë pasi Koreja Veriore ka testuar armën e saj.
Koreja Veriore ka kritikuar shpesh stërvitjet ushtarake që Koreja Jugore i kryen me Shtetet e Bashkuara.
SHIKONI EDHE: K.Veriore kritikon stërvitjet e përbashkëta ushtarake K.Jugore-SHBAMarrëdhëniet në mes të dyja vendeve nuk janë përmirësuar prej bisedimeve për çarmatosje në mes të Kimit dhe ish-presidentit amerikan, Donald Trump më 2019.
Koreja Veriore ka kërkuar që të hiqen sanksionet para procesit të çarmatosjes, mirëpo Shtetet e Bashkuara e kanë kërkuar të kundërtën.