Anëtarët e Qeverisë majtiste të Spanjës e kanë kritikuar ofensivën ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës, duke nxitur mosmarrëveshje mes dy vendeve.
Madridi zyrtar i ka hedhur poshtë si “të pavërteta” akuzat e Ambasadës së Izraelit në Spanjës se disa prej anëtarëve të Qeverisë spanjolle janë rreshtuar krah për krah me terrorizmin duke bërë “deklarata të turpshme”.
“Qeveria spanjolle i hedh poshtë kategorikisht të pavërtetat që përmban komunikata e Ambasadës së Izraelit për disa prej anëtarëve të saj”, shkroi Ministria e Jashtme e Spanjës të hënën vonë në X, ish-rrjetin social Twitter.
Ajo shtoi se nuk pranon “asnjë sugjerim të tillë të pabazë”.
Your browser doesn’t support HTML5
Në komunikatën e saj, Ambasada e Izraelit tha se “anëtarë të caktuar të Qeverisë së Spanjës kanë vendosur të rreshtohen në radhët e terrorizmit të ngjashëm me ISIS-in”.
Përveç tjerash, tha ajo, “këto janë deklarata plotësisht të pamoralshme të cilat e rrezikojnë sigurinë e komunitetit hebraik në Spanjë”.
Ambasada izraelite nuk përmendi emra në deklaratën e saj.
Megjithatë, ministrja e Spanjës për të Drejta Shoqërore, Ione Belarra, e cila mori pjesë në tubimet pro-palestineze në Madrid të dielën, i përsëriti kritikat ndaj ofensivës izraelite në Gaza edhe të martën.
Ajo tha se askush nuk e mohon dhimbjen e shkaktuar nga sulmet e Hamasit në Izraelit “por Izraeli po e mohon dhimbjen e palestinezëve”.
SHIKONI EDHE: Palestinezët raportojnë për granatime të ashpra në jug të Gazës“Ne duhet patjetër ta ngremë zërin për t’i dhënë fund përgjithmonë këtij gjenocidi”, tha Belarra në një intervistë për një radio.
Izraeli e ka rrethuar Rripin e Gazës dhe nuk po lejon futjen e ushqimit, ujit, karburantit dhe rrymës që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit më 7 tetor.
Ushtria izraelite e mohon se ka krizë humanitare në Gaza duke ngulur këmbë se ka furnizim me ujë dhe rrymë.