"Moska nuk është Rusia": Një mësuese dokumenton për një vit jetën në Siberi

Nastya Subbotina, një 24-vjeçare me prejardhje nga Moska, jetoi një vit duke dhënë mësim në Siberi. Gjatë kësaj kohe ajo fotografoi nxënësit dhe peizazhin e ashpër të Jevsinos. Me fjalët e saj, Subbotina shkruan për lidhjen e thellë që krijoi me vendin dhe banorët e zonës.

Thonë se Moska nuk është e gjithë Rusia. Kur miqtë e mi nisën të largoheshin nga vendlindja, një vit e gjysmë më parë, mua mu desh të merrja një vendimi: të shkoja më thellë në zemër të Rusisë ose të largohesha krejt nga aty.

Unë vendosa të qëndroja në Rusi.

Në shtator të vitit 2022, u nisa për një udhëtim në një shkollë në Jevsino, e cila ndodhet në rajonin jugperëndimor të Novosibirskut siberian. Emërimi im u bë përmes Fondacionit Bamirës të Mësuesit të Ri, një organizatë me mision të promovojë dhe përmirësojë arsimin në zona të largëta duke regjistruar, trajnuar dhe drejtuar mësues të rinj për shkollat në zona rurale.

E solla aparatin tim me vete, duke dokumentuar dashurinë time të thellë si për njerëzit që takova, ashtu edhe për vendet ku shkova.

Fillim i ri: Tubacionet e shtrira gjithandej

Teksa i afrohesh Jevsinos, një qytet i vogël me rreth 6.000 banorë, gjëja e parë që bie në sy është sistemi i gjerë i tubave të ngrohjes që rrethojnë skajet e jashtme të qytetit. Kudo që të shikoni, mund të shihni dizajnin e përsëritur ritmik të këtij kanali metalik.

Tubat këtu janë pjesë e habitatit. Ato përdoren gjerësisht nga banorët vendas që ulen sipër tyre, duke biseduar, duke luajtur, duke pirë birra, duke u puthur, duke bërë festa dhe duke festuar ditëlindje.

Rroba duke u tharë në rrugë Jevsina (majtas); një kafaz pëllumbash (në mes); dhe mjegulla e mëngjesit të hershëm.

Tubat shtrihen përgjatë shtëpive dhe dalin më larg në fusha, duke çuar në një rrugë të gjatë që lidh Novosibirskun me kufirin e Mongolisë.

Një fushë, e vendosur mes makinave dhe tubacioneve të kudogjendura, është një nga vendet e pakta në Jevsino ku mund të zhyteni në natyrë.

Nxënësja e klasës së dhjetë, Anya. Në sfondin shihen tubat e ngrohjes dhe ndërtesave të apartamenteve pesëkatëshe.

Minierat e Jevsinos

Jevsino ndodhet mbi një depozitë të madhe qymyri dhe lloji i qymyrit që nxirret këtu është antraciti, i njohur si cilësia më e lartë dhe klasa më e vjetër e qymyrit në botë.

Termocentrali EL 6

EL 6 është emri i termocentralit. Ai është ndërtuar në vitin 1974 dhe pak ka ndryshuar që atëherë. Emetimet nga aty janë veçanërisht të rrezikshme për shëndetin.

Një mësuese duke u relaksuar në ngrohtësinë e diellit

Tymi i trashë, i zi, ngrihet në qiell nga pirgu më i lartë qendror dhe dallon këtë rajon nga të tjerët për faktin se ka përqindjen më të lartë të sëmundjeve të mushkërive në vend.

Mjekët vendas rekomandojnë largimin. Megjithatë, njerëz nga qytete dhe fshatra të tjerë vijnë të jetojnë në Jevsino, sepse nëpër uzina, si në minierën e qymyrit, ka punë për t’u bërë dhe para për t’u fituar.

Shkolla dhe fëmijët e mi

Janë mbi 700 fëmijë në shkollën tonë, dhe ndërtesa e madhe ofron klasa të ndritshme dhe të bollshme të mbushura me rrezet e diellit. Në Siberi, dielli shkëlqen çdo ditë.

Korridori i shkollës në hyrje të sallës kryesore.

Tymi nga oxhaqet e fabrikës vjen e shkon; e me sa duket nuk merr shumë rëndësi, pasi është kudo.

Në Jevsino, jeta përsëritet: njerëzit bien në dashuri, martohen, lindin fëmijë që rriten dhe vijnë në shkollën ku, ndoshta, prindërit e tyre dikur janë takuar.

Rita, një nxënëse e klasës së dytë.

Një mëngjes i mjegulluar në qendës të Jevsinos.

Një nga apelet e Fondacionit Bamirës për Mësues të Ri (dhe një arsye pse përfundova këtu) është të sjellë njohuri atje ku duhet.

Kur mora vesh se do të jepja mësim lëndën e muzikës dhe se do të më duhej të punoja kryesisht në një shkollë fillore, u mërzita shumë. E imagjinoja veten më shumë si mësuese kolegji apo universiteti sesa mësuese në një kopsht fëmijësh. Por me kalimin e kohës, të vegjlit ma morën zemrën.

Dita e fundit e klasës së 11; prindër e nxënës duke pritur në sallë

Ka diçka të veçantë në shkollën time. Pas orëve të rregullta, dhomat e saj, duke përfshirë edhe zyrën time, mbushen me muzikë, ku dëgjohen aty-këtu tingujt e përsëritjeve të pafundme të së njëjtës melodi. Tingujt nuk më lejojnë të harroj se ku jam.

Në klasën time, ka një balalaika [instrument muzikor] të vjetër me një varg. Ajo qëndron në një raft të lartë dhe është e paarritshme, prandaj është tërheqëse. Më në fund u gjet një arsye për ta marrë atë nga rafti: një diskutim mbi instrumentet popullore ruse.

Balalaika kalonte nga një palë duar të vogla në tjerat dhe fëmijët e trajtonin me aq butësi sa më ngrohte zemrën. Ndonjëherë fëmijët edhe merren me "gdhendje artistike" shkatërruese në tavolina, por këtu treguan vetëm respekt.

Kuzhina ime me disa nga fotot e mia të preferuara dhe një libër shkollor nga Dmitry Kabalevsky në tryezë (majtas); rruga për në shkollë në një mëngjes dimri (në mes); një portret i Nikitas që shkon në klasë të dytë, me një balalaika pas një mësimi për instrumentet popullore ruse.

Puna e një mësuesi kërkon shumë angazhim. Disa ditë duket se zgjasin një jetë dhe ka shumë situata, takime dhe ngjarje të papritura.

Një nxënës i klasës së katërt, gjatë një ore mësimore.

Dy vajza të klasës së 11, në ditën e fundit të shkollës.

Unë shpesh i fotografoj fëmijët në klasë dhe gjatë pushimeve. Më pëlqen veçanërisht të shkrepi portretet e tyre kur dielli iu bie në fytyrë. Ata vijnë gjithmonë me vrap për të parë fotot e reja që i printoj dhe i vari në zyrë.

Pamje nga autobusi ynë ku shihen fushat e mbuluara me borë.

Të mërkurat në autobus

Shkolla jonë e ka një autobus të verdhë që i merr fëmijët në mëngjes dhe i çon në shtëpi pas përfundimti të mësimit. Meqenëse shumë prej tyre jetojnë më larg -- dhe me temperaturat brutale të dimrit në Siberi -- autobusi është e vetmja mënyrë që ata të shkojnë në shkollë.

I pres gjithmonë të mërkurat, kur bashkohem me studentët në autobus. Ku mund të bisedoj me Vikën e klasës së parë, e cila më prezanton me botën e saj të lodrave dhe kompleksitetin e jetës së një nxënësi të klasës së parë. Është edhe Timofei i klasës së katërt, i cili qep çanta të mahnitshme për vete dhe dëshiron të bëhet parukier kur të rritet.

Kur fëmijët zbresin në stacionin e tyre, unë u uroj gjithmonë një drekë të këndshme, dhe u them mos të harrojnë të bëjnë detyrat e shtëpisë.

Në rrugën e kthimit, ulem me shoferin, i cili mban një fermë në një fshat fqinj dhe i do bletët. Shoferi i autobusit është një shok i mrekullueshëm dhe i besuar.

Udhëtimi me autobus është një kohë e mrekullueshme kur fëmijët hapen në një mënyrë krejtësisht të ndryshme. Ata janë të lumtur të flasin për jetën dhe problemet e tyre. Në shkollë, ata shpesh nuk kanë as forcë dhe as kohë për këtë, kështu që autobusi është një dhomë e lëvizshme, e fshehtë e rrëfimeve.

Dhjetori

E dekorova zyrën time me shirita vezullues dhe kjo bëri bujë: Fëmijët u fshehën në to, numëruan shiritat, futën gishtat për të ndjerë elektricitetin statik.

Shumë nga prindërit e fëmijëve punojnë në fermën e shpendëve në Novosibirsk. Në natën e ndërrimit të viteve, ata u kishin dhuruar fëmijëve të punonjësve kapele dimërore dhe të paktën gjysma e nxënësve i kishin veshur ato nëpër shkollë. E veçanta e kapelës ishte se mund t’i ndizeshin dritat, gjë që fëmijëve vërtet u pëlqeu.

Çfarë mund të bësh në Jevsino?

Sigurisht, përveç tubave metalikë, ka vende të tjera ku mund të kaloni kohë jashtë shtëpisë. Është një park i sapondërtuar me një shatërvan në qendër. Është një vend i preferuar për nxënësit e shkollave të mesme, të cilët rrinë aty në mbrëmje.

Hare në shesh lojërash gjatë verës.

Një pikë vëzhgimi, ose vetmie...

Një vajzë e re mban një foto. Më 9 maj, rusët marshojnë me fotografi të të afërmve që dhanë jetën ose kontribuuan në Luftën e Dytë Botërore.

Pranë parkut është një zyrë postare që ka një rampë për karriget me rrota, e cila, si tubat, përdoret në mënyrë aktive edhe nga fëmijët.

E martë dhe e enjte: Futboll

Shkolla jonë ofron një klasë futbolli. Unë vetë nuk e dua futbollin, por të paktën një herë në javë përpiqem të shkoj dhe të shoh se si djemtë po ndjekin topin. Aty janë edhe dy vajza: Maya dhe Angelina. Ato janë të shkëlqyera! Ato i studiojnë lojërat në mënyrë të përsosur, janë të përgjegjshme dhe janë krejtësisht të patrembura të shfaqin talentin e tyre.

Së fundmi, Maya deklaroi me krenari: “Kam shtatë seanca stërvitore në javë”.

Anxhelina, e cila është mjeshtre e goditjeve, gjithmonë ka gërvishtje të përgjakshme në këmbë nga pjesëmarrja në futboll.

Maya dhe Angelina ushtrojnë futboll.

Klasa e sportit drejtohet nga Tolya Peremitin, i cili u rrit në Jevsino. Ai luajti aq mirë sa u vu re dhe depërtoi në botën e sporteve të mëdha. Tolya u bë jo vetëm një mjeshtër i futbollit në plazh, por edhe kampion bote.

Këtë vit, Tolya u kthye në shtëpi dhe shkoi për të punuar në shkollë. Tani ai është autoriteti i padiskutueshëm për ata që më parë nuk kishin respekt për autoritetin.

Më në fund vjen pranvera

Pavarësisht dimrit të gjatë, me borë, pranvera më në fund rikthehet kur duket se nuk ka mbetur fare forcë dhe procesi arsimor nuk do të përfundojë kurrë. Ajo pasohet nga festat e pranverës, ku bora shkrihet, ditët bëhen më të gjata dhe një pellg i pafund uji derdhet në të gjitha rrugët e Jevsinos.

Një bimë në sallën e arsimtarëve.

Fundi i vitit

Unë u mësova fëmijëve muzikë dhe, në këmbim, ata më mësuan mua për jetën.

Pa marrë parasysh tymin e zi nga oxhaqet, pluhurin e qymyrit dhe erën nga ferma e shpendëve, viti im në shkollën siberiane ishte i mbështjellë në ngrohtësinë e diellit dhe u mbush me dashuri dhe lumturi që në fillim.

Dy shoqe në klasë të katërt.

Mirupafshim!

Përgatiti: Gresa Kraja