Organizata e Kombeve të Bashkuara po u bën thirrje vendeve të vendosin një moratorium në përdorimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale e cila cenon të drejtat e njeriut.
Shefja e të drejtave të njeriut të OKB-së tha se përdorimi i kësaj lloj teknologjie paraqet rrezik serioz për të drejtat e njeriut, përfshirë sistemet e skanimit të fytyrës në hapësirat publike.
OKB-ja ngre shqetësimin për përdorimin e teknologjisë përmes së cilës bëhet përpjekje të mësohet gjendja emocionale dhe mendore e njerëzve duke i analizuar shprehjet e tyre të fytyrës ose lëvizjet e trupit.
SHIKONI EDHE: Apple rrit sigurinë ndaj softuerit të spiunimit PegasusKomisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet, tha se vendet duhet të ndalojnë përdorimin e inteligjencës artificiale që nuk është në përputhje me ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.
OKB-ja kërkon që ndalesa të bëhet për sistemet qeveritare të "vlerësimit shoqëror" përmes së cilës i gjykojnë njerëzit bazuar në sjelljen e tyre dhe kategorizimin e njerëzve në grupe sipas përkatësisë etnike ose gjinisë.
Inteligjenca artificiale mund të përdoret si një mjet i dobishëm, por ajo gjithashtu mund të rezultojë me efekte negative, mbase edhe katastrofike, nëse përdoret në fusha që cenojnë dhe ndikojnë në të drejtat e njeriut, tha Bachelet përmes një deklarate.
Kombet e Bashkuara përmes një raporti kanë thënë se vendet dhe bizneset janë duke nxituar në përdorimin e inteligjencës artificiale pa marrë masa mbrojtëse të cilat parandalojnë diskriminimin dhe dëme tjera.
Raporti nuk bën thirrje për ndalimin e plotë të teknologjisë së njohjes së fytyrës, por tha se qeveritë duhet të ndalojnë skanimin e veçorive të njerëzve në kohë reale derisa të konfirmohet se mjetet e përdorura për këtë janë adekuate dhe nuk shkelin të drejtat e njeriut.
SHIKONI EDHE: Sa janë të sigurta të dhënat personale në Kosovë?Asnjë vend nuk përmendet në raport, por ka kohë që komuniteti ndërkombëtar e ka kritikuar Kinën për përdorimin e kësaj teknologjie në veçanti në rajonin Ksinjiang, ku jetojnë pakica myslimane ujgure.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka shprehur shqetësime në lidhje me përdorimin e kësaj teknologjie.
"Është shumë e frikshme nëse mendoni për mënyrat se si intelegjenca artificiale mund të përdoret në një mënyrë diskriminuese", tha Sekretarja Amerikane e Tregtisë Gina Raimondo gjatë një konference online në muajin qershor.
"Ne duhet të sigurohemi që të mos e lejojmë një gjë të tillë”, pati thënë ajo.