Asnjë objekt kulturor në Kosovë nuk ka sistem të mbrojtjes kundër zjarrit dhe kjo paraqet rrezik për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, ka thënë Kaltrina Thaçi, arkitekte në organizatën “Cultura Heritage Without Borders” (Trashëgimia Kulturore pa Kufij), zyra në Kosovë.
Shumë vende në Evropë kanë filluar t’i shikojnë masat mbrojtëse kundër zjarrit në ndërtesa me rëndësi të veçante kulturore, pas zjarrit në Katedralen mesjetare, Notre Dame, në Paris.
Your browser doesn’t support HTML5
Katedralja mesjetare, Notre Dame, në zemër të Parisit, është përfshirë nga zjarri ditën e hënën, mirëpo zjarrfikësit arritën të shpëtojnë strukturën kryesore të gurit të ndërtesës gotike, të vjetër 850 vjet, pavarësisht se maja dhe çatia u shembën.
“Asnjë aset i trashëgimisë kulturore nuk ka sistem të mbrojtjes kundër zjarrit të instaluar brenda”, ka thënë Kaltrina Thaçi nga CHWB, zyra në Kosovë për Radion Evropa e Lirë.
“Në Kosovë kemi mungesë të rregullores, e cila do të thotë përcakton kushtet e mbrojtjes kundër zjarrit në ndërtesat e trashëgimisë kulturore. Kjo duhet të jetë një rregullore specifike, e cila të tregon se çfarë parametra duhet të ketë ndërtesa dhe si të bëhet instalimi i mbrojtjes kundër zjarrit në ndërtesa historike, për shkak që kjo dallon prej ndërtesave të tjera publike, të cilat nuk kanë status të mbrojtjes”, ka shpjeguar ajo.
Gjithashtu, sipas Thaçit, gjendja e trashëgimisë kulturore në shtetin e Kosovës është shumë e degraduar.
*Fotogaleri nga arkivi: Trashëgimia Kulturore dhe Fetare e Kosovës
Në vitin 2018, CHWB-ja ka bërë një raport për gjendjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Në raport thuhet se mbrojtja e trashëgimisë kulturore ka qenë fare pak në agjendë të qeverive qendrore dhe atyre komunale.
“Rezultatet e intervistave të realizuara dëshmojnë që një përqindje e madhe e institucioneve lokale dhe qendrore në Kosovë, nuk posedojnë plane konkrete për mbrojtjen dhe trajtimin e aseteve të trashëgimisë kulturore, rezultat ky që dëshmon që trashëgimia kulturore vazhdon të mos jetë një aspekt i rëndësishëm i agjendave vjetore të institucioneve të Kosovës, duke e lënë atë si një temë, e cila shtjellohet vetëm në raste kur këto asete janë në rrezik të shkatërrimit”, thuhet në raport.
*Video nga arkivi: Kullat, shënjestra të luftës që mbijetuan
Your browser doesn’t support HTML5
Ndërsa, Vjollca Aliu, drejtoreshë në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rreziqet kryesore që i kanosen trashëgimisë kulturore në Kosovë, janë zhvillimet e pakontrolluara.
“Aseteve të trashëgimisë kulturore u kanosen rreziqe nga më të ndryshme siç janë transformimet strukturore nga shkaqet klimatike, nga gjelbërimi i pakontrolluar, nga faktori njeri dhe sa i përket zhvillimit hapësinor trashëgimisë i kanoset rreziku posaçërisht nga zhvillimi i pakontrolluar. Zhvillimi i pakontrolluar më vete bie një mori problemesh, jo vetëm siç është prishja e kuadrit vizual, por edhe prishja e qasjes hapësinore në objekt që shpesh rezulton me probleme në implementimin e strategjive për parandalimit të rrezikut”, ka thënë Aliu.
Prizreni është qyteti që ka një numër të madh të objekteve më rëndësi kulturore.
Qeveria e Kosovës tashmë ka marrë vendim për zhvendosjen e Ministrisë së Kulturës në Prizren.
Shumë objekte kulturore në këtë qytet kanë pësuar dëmtime si pasojë e protestave të dhunshme, moskujdesi nga komuna, ndërtimet ilegale etj.
Valon Xhabai drejtor në organizatën “Ec Ma Ndryshe” në Prizren që merret me aktivizmin qytetar, e sidomos me atë kulturor, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rreziku më i madh, i cili i kanoset trashëgimisë kulturore, është faktori njeri.
“Faktori njeri nuk është kujdesur aq sa duhet, faktori njeri i ka rrënuar shtëpitë e vjetra, faktori njeri edhe kur është dashur të intervenohet në diçka, nuk e ka bërë intervenimin ashtu siç duhet sipas standardeve që duhet”, ka vlerësuar Xhabai.
Në vitin 2016 për herë të parë në Kosovë është krijuar databaza online e trashëgimisë kulturore nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku vendosen të gjitha të dhënat për çdo monument që gjendet në Republikën e Kosovës.