Mongolia - sateliti i harruar sovjetik

Busti i Vladimir Leninit në një sallë të muzeut, që i  kushtohet themeluesit sovjetik në Ulan Bator, në vitin 1981. Foto: Igor Zotin/TASS (PROFIMEDIA)

Mongolia e shpalli veten “republikë popullore” 100 vjet më parë, më 26 nëntor të vitit 1924.

Edhe pse emri i kryeqytetit të saj mbetet Ulan Bator, që do të thotë hero i kuq, e kaluara e vendit me sovjetikët përshkruhet si një gjë “e harruar”.

Udhëheqësi sovjetik, Leonid Brezhnev (në mes nga e majta) shënon 50-vjetorin e Republikës Popullore të Mongolisë, së bashku me udhëheqësin komunist të Mongolisë, Yumjaagiin Tsedenbal (në mes nga e djathta) në Ulan Bator, më 1 nëntor të vitit 1974.

Dr. John Addleton, i cili shërbeu si ambasador i SHBA-së në Mongoli nga viti 2009 deri në vitin 2012, thotë për Radion Evropa e Lirë se e kaluara e lidhur me sovjetikët e këtij vendi, shpesh anashkalohet, sepse “është figura e Genghis Khanit [bashkuesit të fiseve mongole] ajo që duket më e madhe në mënyrën se si shihet Mongolia nga pjesa tjetër e botës - asgjë nuk mund ta errësojë ose zëvendësojë atë imazh si tipar qendror i historisë mongole”.

Një rrugë në Altanbulag, një qytet tregtar mongol në kufi me Rusinë, në fund të viteve 1800.

Addleton shton se, për shkak të largësisë së Mongolisë dhe faktit që ajo nuk u bashkua kurrë me Paktin e Varshavës - ekuivalent i NATO-s në Bashkimin Sovjetik - Mongolia “nuk hyri kurrë në imagjinatën popullore si satelit sovjetik”.

Guvernatori kinez i Altanbulagut, i rrethuar nga grupi i tij, në fund të viteve 1800.

Në vitin 1924, territori pak i populluar i Mongolisë së sotme u bë terren i përplasjeve mes Kinës dhe forcave nga të dyja anët të Luftës Civile të Rusisë. Por, rajoni mbeti de jure pjesë e Kinës.

Ushtarë mongolë të fotografuar në vitet 1930.

Popullsia kryesisht nomade e Mongolisë u përball, pastaj, me pasiguri. Një zyrtar i ri derdhi ujë të ftohtë mbi deklaratën madhështore të Qeverisë komuniste të “republikës popullore”, duke pyetur: “Çfarë është republika? Sigurisht që kjo nuk dihet në provinca”.

Ai u bëri thirrje delegatëve që t’u shpjegojnë mongolëve ruralë “qëllimin dhe kuptimin e formës së re të qeverisjes”.

Një bari nomad dhe vajza e tij në fushat e Mongolisë. Mars, 1936.

Një nga misionet e hershme faktmbledhëse të Kremlinit në Mongoli i raportoi liderit sovjetik, Josef Stalin, se territori i pretenduar nga Kina do të ishte një “tampon i dobishëm përgjatë kufijve jugorë të vendit tonë”, i cili mund të siguronte që trupat sovjetike dhe kineze të mos përballeshin me njëra-tjetrën.

Gratë duke u lutur në një manastir në Mongoli më 1930.

Mongolia shpejt u bë e varur ekonomikisht dhe politikisht nga Bashkimi Sovjetik dhe pasqyronte politikat radikale të Moskës.

“Ju duhet ta zhvilloni socializmin në një kohë shumë të shkurtër dhe, për këtë qëllim, t’i aplikoni përvojat e Bashkimit Sovjetik”, e udhëzoi një i dërguar i Kremlinit Qeverinë mongole.

Një bari i ri mongol me kopenë e tij në vitet 1930.

Në vitin 1930, Ulan Batori njoftoi: “Ne tani po i konfiskojmë pronat e klasave feudale”.

Meqë barinjtë nomadë u detyruan të hynin në ferma komunale dhe bagëtitë e tyre u konfiskuan nga shteti, disa u larguan nga vendi, ndërsa të tjerë u ngritën.

Statuja budiste në Mongoli më 1936.

Në fillim të viteve 1930, rreth 30.000 njerëz vlerësohet të kenë ikur nga Mongolia, ndërsa në disa rajone të këtij vendi shpërthyen rebelime spontane.

“Luftoni deri në vdekje kundër shtrigave dhe demonëve të kësaj ‘qeverie popullore’!", ishte thirrja e një grupi rebel, të frymëzuar nga feja.

Khorloogiin Choibalsan

Në vitin 1937, ministri i Mbrojtjes i Mongolisë, Gelegdorjiin Demid, u ftua në Moskë dhe vdiq gjatë rrugës nga “helmimi me ushqim”.

Më pas, më 1939, kryeministri popullor i Mongolisë, Anandyn Amar, u arrestua dhe u dërgua në Moskë, ku u ekzekutua.

Këto vdekje ia hapën derën Khorloogiin Choibalsanit - i preferuar i Stalinit - për ta marrë pushtetin në Mongoli.

Një shigjetar mongol me medalje sovjetike.

Nën Choibalsanin, terrori i spastrimeve të mëdha i Stalinit bëri jehonë edhe në Ulan Bator.

Choibalsan punoi drejtpërdrejt me policinë sekrete sovjetike, NKVD, për të grumbulluar dhe ekzekutuar zyrtarë “jo të besueshëm” qeveritarë, përpara se shteti të kalonte tek udhëheqësit fetarë.

Numri i përgjithshëm i viktimave të Represionit të Madh të Mongolisë mbetet i panjohur, por nga viti 1937 deri në vitin 1939 u ekzekutuan rreth 17.000 priftërinj budistë, ndërsa më shumë se 700 manastire u shkatërruan.

Një paradë ushtarake në Ulan Bator më 1946.

Gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore, Mongolia ishte një burim jetik ndihme për ushtrinë sovjetike dhe, në vitin 1945, Kinës iu bë presion nga Bashkimi Sovjetik për të hequr dorë nga pretendimet e saj ndaj Mongolisë.

Një referendum mbi pavarësinë zyrtare të Mongolisë nga Kina rezultoi me “100 për qind” vota në favor të propozimit.

Ushtarët duke marshuar në Ulan Bator më 1946.

Stalini, personalisht, tregonte interes për Mongolinë, duke u mbështetur vazhdimisht në Qeverinë e saj për shkatërrimin e fesë atje.

“Duhet të silleni me vendosmëri ndaj priftërinjve budistë”, i tha ai Ulan Batorit. “Nuk duhet të harroni se vetëm ata që janë të fortë, do të njihen”, tha ai.

Makina të prodhimit sovjetik jashtë Ulan Batorit më 1961.

Ashtu si gjetiu në sferën e ndikimit sovjetik, represionet në Mongoli u bënë më pak të rënda pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953 dhe lufta e pamëshirshme e Kremlinit kundër besimit fetar u shndërrua më shumë në një grindje burokratike.

Besimtarët në Manastirin Gandan në Ulan Bator në vitin 1962. Vetëm budistët e moshuar lejoheshin të luteshin në manastir atëkohë, ndërsa mongolët e rinj lejoheshin vetëm si “shikues të rastësishëm”, sipas përshkrimit origjinal të kësaj fotografie.

Sipas Addletonit, Moska shihej si opsion më pak i keq për mongolët në mesin e dy fqinjëve të tyre të fuqishëm.

Një rrugë në Ulan Bator në vitin 1969.

“Realisht, lidhja ruse [sovjetike] ishte e rëndësishme për Mongolinë, si për riafirmimin e pavarësisë së saj, ashtu edhe për garantimin e sovranitetit të saj ndaj Kinës”, thotë ish-ambasadori.

Një statujë e Josef Stalinit përballë Bibliotekës Kombëtare të Ulan Batorit më 1971.

Nga fundi i viteve 1980, Bashkimi Sovjetik kishte rreth 50.000 trupa dhe 1.800 tanke, së bashku me 320 avionë dhe helikopterë - që të gjithë të stacionuar në disa baza anembanë vendit.

Mongolët duke pritur në radhë për të blerë mish në Ulan Bator më 1988.

Ndërsa lëvizjet demokratike filluan të mblidhnin forcë kudo në Bashkimin Sovjetik, mongolët në vitet 1980 filluan, gjithashtu, të ngriheshin kundër Qeverisë së tyre.

Një protestues duke valëvitur flamurin e Partisë Demokratike të Mongolisë në Ulan Bator. Korrik, 1990.

Jambyn Batmonkh, udhëheqësi i fundit i Mongolisë komuniste, iu adresua zyrtarëve që donin t’i shtypnin protestat kundër sundimit njëpartiak:

“Nuk ka nevojë të përdoret policia apo të përfshihet ushtria”.

Protestuesit, tha ai, “janë fëmijët tanë”.

Në mars të vitit 1990, Byroja Politike e Mongolisë u zëvendësua dhe Batmonkhu njoftoi për dorëheqjen e tij, duke u hapur rrugë zgjedhjeve të lira.

Njerëz të mbledhur rreth një statuje të Stalinit që u rrëzua dhe u hoq nga afërsia e Bibliotekës Kombëtare, në fillim të vitit 1990.

Addleton thotë se mongolët me të cilët ka folur për epokën e vendit të tyre si satelit sovjetik, “kanë shprehur një gamë të gjerë pikëpamjesh për Bashkimin Sovjetik”.

Një burrë mongol në shkallët e një monumenti në Ulan Bator, që përkujton mbështetjen e këtij vendi ndaj Bashkimit Sovjetik, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fotografia u bë në Mongolinë e pavarur në vitin 1996.

“Ndërsa disa shprehin hidhërim për spastrimet nga epoka staliniste, gjatë viteve 1930, dhe ekzekutimet e anëtarëve të klerit budist”, thotë Addleton, “të tjerët shikojnë prapa në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore me një shkallë vlerësimi dhe madje nostalgjie”.

Përgatiti: Valona Tela