Moldavia e përzë një diplomat rus, pas një hetimi për spiunazh

Ambasadori i Rusisë në Moldavi, Oleg Vasenov, u thirr në takim në Ministrinë e Jashtme në Kishinjev, 1 gusht 2024.

Ministria e Jashtme e Moldavisë e ka shpallur të enjten person të padëshiruar një punonjës të Ambasadës së Rusisë në Kishinjev dhe i ka dhënë 48 orë kohë për t’u larguar nga vendi.

Ky vendim vjen pak orë pasi autoritetet në Kishinjev i ndaluan dy zyrtarë moldavë pas një bastisje nga forcat e sigurisë në ndërtesën e Parlamentit, në lidhje me një hetim për spiunazh.

Ambasadori i Rusisë, Oleg Vasnetsov “u thirr sot në Ministrinë e Jashtme, ku iu dha një letër, e cila e shpall person non-grata një punonjës të Ambasadës”, tha Ministria në një komunikatë për media të enjten.

Ajo shtoi se vendimi u mor pasi autoritetet moldave siguruan “informata dhe prova” që dëshmojnë se diplomati rus kreu “veprimtari që nuk është në përputhje me statusin diplomatik në territorin e Moldavisë”.

SHIKONI EDHE: Dezinformimi në rritje nga Rusia kërcënon zgjedhjet në Moldavi

Vendimi për ta dëbuar diplomatin rus, emri i të cilit s’u bë i ditur, erdhi pak pasi agjentët e Shërbimit të Inteligjencës dhe Sigurisë së Moldavisë dhe Zyra e Prokurorit për Luftimin e Krimit të Organizuar bastisën ndërtesën e Parlamentit të Moldavisë dhe i ndaluan një punonjës të legjislaturës dhe një zyrtar të policisë kufitare, të dyshuar për tradhti dhe konspiracion.

Ata dyshohet se mblodhën informata dhe ia dhanë një punonjësi të Ambasadës së Rusisë në Kishinjev, të cilat i dëmtojnë interesat e Moldavisë.

“Është e rëndësishme të sigurohemi tani që ky rast i tradhtisë do të ndëshkohet në mënyrën më të ashpër, bazuar në ligj”, tha presidentja properëndimore e Moldavisë, Maia Sandu, për Jurnal TV, mbrëmjen e së mërkurës.

SHIKONI EDHE: Ukraina dhe Moldavia nisin bisedimet për anëtarësim në BE

Në gusht të vitit të kaluar, Moldavia i dëboi 45 prej 70 diplomatëve rusë nga Ambasada në Kishinjev, pasi një hulumtim nga mediat zbuloi se ndërtesa e Ambasadës e kishte një numër shumë të lartë të antenave të instaluara në kulmin e saj, të cilat dyshohej se mblidhnin informata për shërbimet inteligjente të Rusisë.

Prej fillimit të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, Moldavia ia ka mbajtur anën Perëndimit në dënimin e pushtimit dhe i ka pritur dhjetëra mijëra refugjatë ukrainas.

Muajin e kaluar, Moldavia i hapi bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Evropian, pasi e mori statusin e vendit kandidat së bashku me Ukrainën në qershor 2022.