Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian i shtetit të saj është mënyra më e mirë për t'u mbrojtur kundër agresionit potencial rus.
Më 1 qershor, Moldavia do të jetë nikoqire e samitit të parë të 44 shteteve të Bashkësisë Politike Evropiane – një nismë e iniciuar vitin e kaluar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, që synon të rrisë bashkëpunimin midis BE-së dhe shteteve joanëtare, ku përfshihen edhe shtetet aspiruese nga Ballkani Perëndimor dhe rajoni i Kaukazit.
Moldavia, së bashku me Ukrainën fqinje, vitin e kaluar morën statusin e vendit kandidatë për në BE, disa muaj pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.
Moldavia, një prej shteteve më të varfra në Evropë, ka pranuar qindra mijëra refugjatë ukrainas që ikln nga lufta.
Rusia vazhdon të ketë të stacionuar mbi 1.000 trupa në Transnjestër, një rrip toke midis Moldavisë dhe Ukrainës, gjoja për operacione paqeruajtëse dhe për ruajtjen e një depoje të madhe municionesh të epokës sovjetike.
SHIKONI EDHE: “S’ka rrezik të menjëhershëm ushtarak” për Moldavinë“Sigurisht, nuk mund të krahasohet me atë që po ndodh në Ukrainë, por ne shohim rreziqe dhe ne besojmë se mund ta shpëtojmë demokracinë tonë vetëm duke qenë pjesë e BE-së”, tha Sandu për agjencinë e lajmeve AFP.
“Ne besojmë se Rusia do të vazhdojë të jetë një burim i madh i paqëndrueshmërisë për vitet e ardhshme ne na duhet të mbrojmë veten”, shtoi ajo.
Sikurse Ukraina, edhe Moldavia ishte pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik deri në vitin 1991, kur edhe shpalli pavarësinë.
SHIKONI EDHE: A mund të jetë Moldavia shënjestra e radhës e Rusisë?Më 1992, Moldavia zhvilloi një luftë të shkurtër me rajonin Transnjestër, të mbështetur nga Rusia, rajon që u shkëput. Moldavia druan se ky rajon dëshiron të bashkohet me Rumaninë fqinje.
Moldavia ndan histori dhe gjuhë të njëjtë me Rumaninë, pjesë e së cilës ishte deri në Luftën e Dytë Botërore.
Sandu, ish-zyrtare e Bankës Botërore që është shkolluar në Shtetet e Bashkuara, u zgjodh presidente në nëntor të vitit 2020, duke zëvendësuar në këtë post Igor Dodonin, që gëzonte mbështetjen e Moskës.