Moderna thotë se mund të zhvillojë brenda javësh dozën përforcuese kundër Omicronit

Dozë vaksine kundër koronavirusit e kompanisë Moderna.

Kompania Moderna nuk pret që të përballet me ndonjë problem gjatë prodhimit të dozës përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit, e cila do të mbrojë kundër variantit Omicron, ka thënë shefi ekzekutiv i kompanisë, Stephane Bancel.

Moderna shpreson që të nisë testimet klinike vitin e ardhshëm për vaksinën e re, e cila do të mbrojë nga varianti Omicron, ndonëse tani është e fokusuar në dozën përforcuese.

“Duhen vetëm ndryshime të vogla për Omicron. Nuk pres probleme”, ka thënë Bancel gjatë një interviste me të përditshmen zvicerane, TagesAnzeiger.

SHIKONI EDHE: OBSH bën thirrje për anulim të disa organizimeve për shkak të Omicronit

Kompania ka thënë se është duke pritur për informacion të vlefshëm për variantin e ri.

“Kjo gjë do të marrë një javë apo dy”, ka thënë Bancel.

“Do të na duhen disa muaj para se të prodhojmë 500 milionë doza, pas marrjes së miratimit. Mirëpo kapacitetet tona janë shumë të mëdha tani, në krahasim me vitin e kaluar”, ka thënë ai.

Kjo kompani ka prodhuar rreth 700-800 milionë doza të vaksinave kundër koronavirusit këtë vit dhe pret që të prodhojë numër më të madh të dozave më 2022, duke rritur prodhimin nga 100 milionë në 150 milionë doza në muaj.