Shefi ekzekutiv i kompanisë farmaceutike, Moderna ka parashikuar se vaksinat ekzistuese nuk do të jenë efektive kundër variantit Omicron sikurse ishin ndaj varianteve paraprake të koronavirusit. Deklarata të tilla kanë rritur alarmin lidhur me rimëkëmbjen ekonomike globale, teksa qeveritë po mbyllin kufijtë dhe po vendosin kufizime të reja, për shkak të paraqitjes së variantit të ri Omicron.
Shefi i kompanisë Moderna, Stephane Bancel tha në një intervistë për Financial Times se numri i mutacioneve që ka varianti i ri dhe transmetueshmëria e lartë, sugjeron se vaksinat duhet të modifikohen vitin e ardhshëm.
“Nuk ka botë, mendoj, ku efektiviteti është në nivelin e njëjtë që kishim me Deltan”, tha Bancel.
Your browser doesn’t support HTML5
Ai tha se duhet të presin për të dhëna të reja për të modifikuar vaksinat, por shtoi se “të gjithë shkencëtarët me të cilët kam biseduar... thonë që ‘kjo nuk është gjë e mirë’”.
Këto komente të Bancel shkaktuan tronditje në tregjet ndërkombëtare financiare.
Moderna dhe kompanitë Pfizer/BioNTech veçse kanë nisur të punojnë në vaksina për variantin Omicron, duke përdorur teknologjinë RNA, që u lejon këtyre kompanive të zhvillojnë vaksina të modifikuara. Por, më pas ato duhet të aprovohen për miratim nga rregullatorët shëndetësorë dhe kjo mund të marrë disa muaj kohë.
Britania, Shtetet e Bashkuara dhe shtetet evropiane po shtyjnë përpara fushatën e dhënies së dozave përforcuese, si kundërpërgjigje ndaj variantit të ri, teksa zyrtarët shëndetësorë thonë se këto doza do të ofrojnë mbrojtje shtesë ndaj virusit.
SHIKONI EDHE: OBSH paralajmëron për rrezik të lartë infektimi nga OmicronMë 29 nëntor, Scott Gottlieb, anëtar i bordit të kompanisë Pfizer, tha për CNBC se “ka një shkallë të besimit” se dozat përforcuese “do të ofrojnë mbrojtje të mirë” ndaj variantit Omicron.
Ndërkaq, Universiteti i Oksfordit, që së bashku me kompaninë AsraZeneca kanë prodhuar vaksinë kundër koronavirusit, ka thënë se nuk ka të dhëna që thonë se vaksinat ekzistuese nuk parandalojnë sëmurje të rëndë nga Omicroni, por ka shtuar se janë duke punuar me inxhinierët, që nëse është e nevojshme, ta modifikojnë vaksinën.
Varianti Omicron u identifikua fillimisht në nëntor në Afrikën e Jugut. Ai besohet se përhapet më shpejt. Shumë shtete në botë, përfshirë edhe dhjetë shtete evropiane, kanë regjistruar raste me këtë variant.