Në Kuvendin e Malit të Zi më 19 janar u dorëzua nisma për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë malazeze të kryeministrit, Zdravko Krivokapiq.
Për dorëzimin e kësaj nisme në procedurë parlamentare njoftoi Lëvizja Qytetare Ura e udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Dritan Abazoviq.
Kjo nismë është nënshkruar nga anëtarët e koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, Lëvizja Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës si dhe partitë opozitare Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe një pjesë e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
“Kjo nismë do të tregojë nëse Qeveria aktuale e ka mbështetjen e shumicës së deputetëve, por edhe për modelin e propozuar për krijimin e një qeverie të pakicës”, tha Ura.
Më 17 janar, Lëvizja Ura dhe Lidhja Qytetare CIVIS propozuan formimin e një qeverie të pakicës si model për tejkalimin e krizës politike disamujore.
SHIKONI EDHE: Abazoviq propozon krijimin e një qeverie të pakicësAta janë pjesë e koalicionit qeverisës së bashku me partinë pro-serbe, Fronti Demokratik dhe Demokratët, me të cilët fituan 41 nga 81 vendet në zgjedhjet e gushtit të vitit 2020.
Inicimi i mocionit për mosbesim ndaj Qeverisë vjen pas njoftimit të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Gjukanoviqit se do të mbështesë çdo nismë që do të çojë në largimin e Qeverisë aktuale të Malit të Zi. Ura dhe CIVIS megjithatë kanë thënë se partia e Gjukanoviqi nuk do të kishte vend në një qeveri të pakicës.
SHIKONI EDHE: Gjukanoviq mbështet nismën e Abazoviqit për ndryshimin e QeverisëKryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq kundërshtoi ashpër paralajmërimin për formimin e një qeverie të pakicës, duke e cilësuar si “mashtrim” këtë nismë.
Ndërkaq, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar për mediumin malazias, Vijesti më 19 janar se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me çdo qeveri që do të formohet në mënyrë demokratike, për të mbështetur rrugën e këtij shteti në integrimet euro-atlantike.
Për të iniciuar shkarkimin e Qeverisë në Kuvend nevojiten 27 vota, ndërsa për largimin e saj duhet një shumicë prej 41 deputetësh.
Me mbështetjen e DPS-së, e cila ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Lëvizja Ura siguron numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.
Qeveria e Krivokapiqit, e cila ka një votë më shumë se sa duhet në Parlament, ka humbur mbështetjen e shumicës qeverisëse, kryesisht të partisë pro-serbe, Frontit Demokratik (DF).
Megjithatë, Fronti Demokratik nuk ka nisur asnjëherë një nismë formale për të shkarkuar Qeverinë, e cila nuk ka pasur mbështetjen e kësaj partie që nga mesi i vitit të kaluar.
Ndër të tjera, DF-ja nuk është pajtuar me miratimin e Rezolutës për Srebrenicën në Parlamentin e Malit të Zi, si dhe me shkarkimin e ministrit Vlladimir Lleposaviq për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë.
Qeveria e Zdravko Krivokapiqit u zgjodh më 4 dhjetor 2020 me votat e Frontit Demokratik, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare Ura si qeveria e ekspertëve, kurse i vetëm politikan në të është kreu i Lëvizjes Ura, Dritan Abazoviq, që mban postin e zëvendëskryeministrit.