Mjekët duan nivelin e njëjtë të pagës së një deputeti të Kosovës

Ilustrim

Punëtorët shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës insistojnë në realizimin e kërkesës së kamotshme për rritjen e pagave.

Në Ministrinë e Shëndetësisë në proces janë disa reforma në shëndetësi, ku edhe rritja e pagave është një prej të rejave që mund të sjellin këto reforma.

Kirurgu torakal, Shqiptar Demaçi thotë se paga e një mjeku do duhej të jetë e njëjtë pagën e një deputeti të Kuvendit të Kosovës.

Krahas pagave më të larta, mjekët insistojnë edhe në krijimin e kushteve më të mira për punë, në mënyrë që të jenë në hap me kohën në lëmin e shëndetësisë.

Kushte të vështira në QKUK

Mjeku specialist në Kosovë paguhet për punën që kryen me rreth 600 euro në muaj, derisa infermierët me rreth 400 euro në muaj.

Në anën tjetër, deputetët, me të cilët mjekët po e krahasojnë nivelin e dëshiruar të pagës, paguhen me nga 1500 euro pagë mujore si dhe gëzojnë pagesa shtesë për çdo aktivitet të tyre.

Kirurgu Demaçi pohon se në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, përafërsisht kryhen tri operacione në ditë. Kjo do të thotë që mjekët kalojnë kohën më të madhe në sallat operative, kurse shpagimi financiar është, siç thotë Demaçi, nënçmues.

“Si ekspertë i lëmisë së caktuar, mjeku duhet paguar jo më pak se një deputet. Këto kanë qenë kërkesat tona. Kushtet ku ne punojmë janë minimale për punë. Ne kemi nevojë që të rregullohen kushtet e punës, dhe jo të jenë jodinjitoze e të punojmë në kushte si para 30 vjetësh, derisa bota mjekësore ecën me hapa të shpejtë çdo ditë. Mjeku mendoj se duhet paguhet karshi nivelit të tij të shkollimit”, tha Demaçi.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla thotë se janë duke punuar me autoritetet përgjegjëse për të siguruar rritje të pagave për profesionistët shëndetësorë, varësisht nga puna që ata kryejnë.

“Të gjithë mjekët në Kosovë janë paguar me pagë lineare deri më tash, derisa me draftimin e Ligjit për pagat do të ketë kategorizim, varësisht nga puna që kryen profesionisti shëndetësor”, tha Syla për Radion Evropa e Lirë.

“Koncept-dokumenti për Ligjin e pagave ka kaluar në Qeveri. Është duke u punuar. Ne si federatë i kemi parashtruar kërkesat tona. Na është premtuar që deri në muajin qershor do të kryhet kategorizimi i pagave. Deri më tash pagat kanë qenë lineare, derisa tash do të bëhet kategorizimi i pagave. Kjo varet tashmë nga shumë faktorë, derisa kërkesat tona janë shumë të qarta”, tha tutje ai.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se nuk kanë ndonjë afat të caktuar se kur pagat e mjekëve do të rriten, por që Albatrit Matoshi, këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk do të ketë reformë në shëndetësi pa rritje pagash të mjekëve.

“Qeveria e ka Kosovës e ka miratuar javë më parë një koncept-dokument që i hap rrugë kategorizimit të pagave për profesionistë shëndetësorë. Nuk do të ketë reforma në shëndetësi pa rritje të pagave. Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tashmë ka thënë se do të punojë ngushtë me akterë me rëndësi për finalizimin e detajeve për rritje pagash, që është e pranueshme edhe për personelin mjekësorë”.

“Nuk ka afat të caktuar se kur do të ndodhë kjo, por që do të punohet çdo ditë që një gjë e tillë të ndodhë në rishikim të buxhetit në muajin qershor”, tha Matoshi.

Sidoqoftë, si në shumë fusha tjera, edhe sektori i shëndetësisë “vuan” nga mosdefinimi i kategorizimit të pagave dhe si rrjedhojë e kësaj gjendjeje, mjekët kanë deklaruar se nuk është korrekte që pagat e tyre të jenë lineare, por ato duhet kategorizohen.