Kryetari i Mitrovicës, Erden Atiq, dhe ai i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kanë kërkuar nga institucionet kosovare, që ndërtesat publike të këtyre komunave të kyçen në sistemin energjetik të Kosovës dhe të paguajnë për energjinë elektrike të komunave që udhëheqin.
Këtë kërkesë ata ia kanë drejtuar Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Tregut (KOSTT) dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
“Gjithashtu kërkova që të na njoftojnë mbi borxhin që duhet paguar institucioneve të Republikës së Kosovës për rrymën e papaguar nga komuna që drejtoj”, shkroi Atiq në Facebook.
Edhe Hetemi tha se pret të njoftohet për faturën e papaguar të komunës që drejton.
Mitrovica e Veriut, së bashku me tri komunat e tjera në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, që nga përfundimi i luftës më 1999 nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar.
SHIKONI EDHE: Sytë kah Serbia për kthimin e borxhit të rrymësFaturat e energjisë së shpenzuar në veri, fillimisht janë paguar nga qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.
Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, më 2013 kanë arritur Marrëveshje për energjinë, që synon rregullimin e çështjes së furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike në katër komunat në veri, të banuar me shumicë serbe.
Por, kjo marrëveshje nuk është zbatuar dhe në qershor të vitit 2022, palët arritën pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë, përmes një udhërrëfyesi për energjinë.
Megjithatë, as ky udhërrëfyes nuk është zbatuar dhe gjatë vitit të kaluar, BE-ja ka pranuar se ka vonesa në zbatimin e tij, duke theksuar se përgjegjësinë përfundimtare për zbatimin e udhërrëfyesit e kanë Kosova dhe Serbia.