Misteri i vendndodhjes së Dejan Pantiqit

Zyrtarë të Policisë së Kosovës. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Vendndodhja e Dejan Pantiqit, ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, i arrestuar më 10 dhjetor në pikën kufitare Jarinjë, në veri të Kosovës, nuk dihet ende.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk i ka dhënë ndonjë informacion Radios Evropa e Lirë, se në cilin vend apo qendër të paraburgimit gjendet Pantiqi.

Këtë informacion nuk e kanë as familjarët, avokati i tij dhe as Avokati i Popullit i Kosovës.

Pantiq dyshohet për “kryerjen e veprës penale terroriste”.

Sipas autoriteteve të Kosovës, Pantiq “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur “ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”.

SHIKONI EDHE: Sveçla: Ish-polici serb organizoi sulmin ndaj zyrave të KQZ-së në veri

Më 12 dhjetor, atij i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Beogradi zyrtar pretendon se Pantiq është arrestuar "pa arsye".

Arrestimi i tij ka nxitur disa serbë lokalë që të ngrenë barrikada më 10 dhjetor në rrugët kryesore që çojnë në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Pantiq është arrestuar në Jarinjë, por deri më tani nuk dihet a është transferuar në ndonjë qendër tjetër paraburgimi, dhe nëse e kanë penguar barrikadat në veri transportimin e tij.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, ka pretenduar më 10 dhejtor se Pantiq është në një stacion policor afër Leposaviqit.

SHIKONI EDHE: Beograd: Protestë në mbështetje të serbëve të Kosovës

Suzana Pantiq, bashkëshortja e Dejanit, shpreson që bashkëshortit të saj do t’i mundësohet sa më shpejt kontakti me familjarët, pasi, siç është shprehur ajo, prej 10 dhjetorit nuk kanë asnjë informacion për të.

Suzana ka thënë se Dejani ka probleme shëndetësore me zemër dhe nuk duhet t’i mungojë terapia.

“Ne kemi bërë gjithçka, avokati iu drejtua gjyqtarit. Vërtet nuk e di se çfarë mund të bëjmë tjetër. Unë e pres atë thirrje, që ai të dëgjojë kërkesën tonë, të na kontaktojë të paktën për 30 sekonda”, ka thënë Suzana Pantiq për Radion Evropa e Lirë.

Predrag Pantiq, djali i Pantiqit i ka bërë apel komunitetit ndërkombëtar që ta ndihmojë babanë e tij në realizimin e të drejtave elementare – të drejtën për telefonata dhe vizita.

Sipas tij, avokati ka arritur të bisedojë me të vetëm një herë dhe atë me video-lidhje gjatë seancës, 48 orë pas arrestimit.

SHIKONI EDHE: Shmangia e barrikadave në veri të Kosovës

Avokati i Pantiqit, Nebojsha Vllajiq, pretendon se klientit të tij po i shkelen të gjitha të drejtat e njeriut.

“Ai ka të drejtë të vizitohet nga një avokat, ta vizitojë familja e tij, të marrë trajtim [mjekësor] dhe gjithçka tjetër. E gjithë kjo është mohuar për faktin se nuk dihet ku është. E vërteta e vendndodhjes së tij duhet të publikohet”, ka thënë Vllajiq për Radion Evropa e Lirë.

Qelaj: Kemi kërkuar vendndodhjen për ta vizituar

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë më 14 dhjetor se institucioni që drejton ai, ka kërkuar nga Policia e Kosovës, institucionet e drejtësisë dhe misioni i BE-së në Kosovë për sundim të ligjit (EULEX), informacione zyrtare për vendndodhjen e Dejan Pantiqit, në mënyrë që ta vizitojë atë.

Megjithatë, deri më tani, ai nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Qelaj ka treguar se të mërkurën ka qenë i interesuar të shkojë personalisht në pjesën veriore, ku pretendohet që mbahet Dejan Pantiq, mirëpo, sipas tij, zyrtarët policorë i kanë thënë se “mund të ketë problem për shkak të mungesë së sigurisë”.

“Vetë barrikadat, pengesa e qarkullimit, po paraqesin shqetësim dhe po na pamundësojnë përmbushjen e rolit dhe mandatit të Avokatit të Popullit, si mekanizëm për mbrojtjen dhe parandalimin e torturës, mekanizëm ky që mund të kujdeset për të drejtat e personave që janë të privuar nga liria”, ka thënë ai.

Aktualisht Qelaj ka thënë se nuk mund të japë ndonjë konstatim se a ka shkelje të të drejtave të njeriut derisa ta takojë personin e arrestuar.

"Qëllimi ynë është ta takojmë personin në fjalë dhe të marrim informata nga ai. Në anën tjetër, nga autoritetet kemi kërkuar informacione se a janë plotësuar dhe a janë përmbushur detyrimet në raport me të drejtat që i takojnë atij në qendrën ku është duke u mbajtur. Këtë pikë ne nuk po e dimë dhe kjo po paraqet problem”, ka thënë mes tjerash ai.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informacione për rastin e Pantiqit edhe në zyrën e EULEX-it, por deri në publikimin e këtij teksti ky mision nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Shefi i EULEX-it, Lars Gunar Vigemark, ka thënë për mediat serbe në Kosovë se “misioni i BE-së ka informacione kontradiktore dhe se ende nuk dihet vendndodhja”.

Ku përfunduan ilaçet për Pantiqin?

Zoran Todiq, ish-kryetar i Komunës së Leposaviqit dhe zyrtar i Listës Serbe, ka thënë më 13 dhjetor, përmes një video-mesazhi se, EULEX-i do t'ia dorëzojë Pantiqit ilaçet që i nevojiten.

Mirëpo, shefi i EULEX-it ka thënë më pas se ilaçet ua kanë dhënë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në Leposaviq, por se nuk ka asnjë konfirmim se Pantiq i ka marrë, gjegjësisht ka sërish informacione kontradiktore.

“Kam informacione se ai ka marrë mjekim, dhe se nuk ka marrë. Ne jemi duke hetuar situatën”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës, ka thënë më 14 dhjetor se janë të pavërteta “spekulimet e personave të caktuar dhe disa mediave, kryesisht serbe”, se Pantiqit nuk i janë ofruar ilaçet mjekësore nga ana e autoriteteve.

“Ai është trajtuar mjaft mirë, konform rrethanave të krijuara dhe janë respektuar të drejtat njerëzore që i takojnë personit të ndaluar”, ka thënë Policia, duke shtuar se atij i janë siguruar ilaçet e nevojshme.

Ndryshe, Pantiq ka qenë njëri prej qindra zyrtarëve policorë serbë në veri të Kosovës që kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës në veri, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se ekzistojnë informacione që gjysma e zyrtarëve policorë, që kanë dhënë dorëheqje, “kanë punuar” për Serbinë.

Kontribuuan: Maja Fiçoviq dhe Sandra Cvetkoviq