Lajçak pas takimit me Kurtin: Është shumë e rëndësishme që të mos ketë tensione

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha është shumë e rëndësishme që të mos ketë tensione, teksa afati për riregjistrimin e makinave është paraparë të përmbyllet më 31 tetor.

Këto komente ai i bëri pas u takua në Prishtinë më 22 tetor me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Shqetësimi jonë është që të mos kemi tensione apo dhunë në terren, kjo është shumë e rëndësishme sepse nuk është në interesin e Kosovës”, tha Lajçak.

I pyetur nëse kanë diskutuar për propozimin që afati për riregjistrimin e makinave të shtyhet për 10 muaj, Lajçak konfirmoi se kjo temë ka qenë pjesë e diskutimit me Kurtin.

“Kemi diskutuar çështjen e targave, por është vendimi i kryeministrit dhe nuk do të komentoj në emrin e tij”, tha ai.

Nga Zyra e kryeminstrit Kurti thanë përmes një njoftimi se tema të diskutimeve kanë qenë elementet "e kronizës themelore të marrëveshjes" mes Kosovës dhe Serbisë, zbatimi i Udhërrëfyesit të energjisë dhe çështjet aktuale.

"Kryeministri Kurti e falënderoi z. Lajçak për angazhimin e tij në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër", u tha në njoftim.​

Qeveria e Kosovës nga 1 shtatori ka nisur procesin e konvertimit të targave që lëshohen nga Serbia, në ato RKS- Republika e Kosovës. Por, interesimi i serbëve, ka qenë i vogël.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së fundit në Kosovë këtë javë, deklaroi se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës, të shtyjë për 10 muaj procesin e riregjistrimit të targave.

Lajçak shtoi se diskutimi me Kurtin ishte “konstruktiv dhe i dobishëm”.

“Ne kemi progres në diskutimet tona dhe kjo është e gjitha çfarë mund të them tani”, theksoi ai.

Vizita e Lajçakut në Kosovë vjen po ashtu në kohën kur në opinion po qarkullon një i ashtuquajtur propozim gjermano-francez në lidhje me lehtësimin dhe zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur në lidhje me këtë propozim, Lajçak tha se “natyrisht që kanë biseduar për këtë”.

“Kjo është arsyeja që po vij këtu çdo javë. Por, shpresoj që e kuptoni se nuk do t'i ndihmonte procesit, nëse unë jam ai që jap detaje. Këto janë çështje të ndjeshme dhe jam në kontakt javor me kryeministrin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, tha Lajçak.

SHIKONI EDHE:

Osmani: Iniciativa franko-gjermane ka për qëllim intensifikimin e dialogutÇfarë dihet për propozimin franko-gjerman?

Propozimi, sipas raportimeve në media, nuk përmend njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, por njohjen e Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së.

Ndërkohë, të premten, në një takim me Ramush Haradinaj, liderin e partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kryeministri Kurti u tha se është diskutuar për përmbajtjen e një marrëveshjeje potenciale me Serbinë.

SHIKONI EDHE: Joseph: Arritja e pesë njohjeve nga BE-ja e përfundon lojën e Vuçiqit

Analistë dhe ekspertë të politikave ndërkombëtare ditëve të fundit kanë vlerësuar se ka një ndryshim në qasjen ndaj dialogut dhe mund të ketë hapa drejt një marrëveshjeje finale.

Vizita e fundit e Mirosllav Lajçakut në Kosovë ishte më 13 tetor.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë në dialog nën ndërmjetësimin e BE-së. Këto dy shtete, megjithatë kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të dialogut. Përderisa Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Beorgadi kërkon një zgjidhje kompromisi, por pa elaboruar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.