Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e Qeverisë së Kosovës ka iniciuar kallëzim penal në Policinë e Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.
Kështu thuhet në një njoftim për media të kësaj ministrie.
Në kuadër të kësaj shoqërie tregtare është edhe Televizoni Klan Kosova.
Kallëzimi penal, siç thuhet në njoftim, është iniciuar edhe ndaj zyrtarëve përgjegjës të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, “nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike”.
MINT ka theksuar se në bazë të akteve ligjore, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës (ARBK), “ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër”.
Arsyeja e pezullimit të kësaj certifikate, sipas vendimit të Drejtorisë së përgjithshme të ARBK-së, është se kallëzimi penal është ngritur me “pretendimin se në certifikatën e biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.
“...nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që në bazë të këtij dokumenti vërtetohet se qyteti i Pejës dhe Gjakovës është nën administrimin e Republikës së Serbisë...”.
Për vendimin e ARBK-së, është ftuar në takim dhe është njoftuar pala, përkatësisht pronari i Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.
Përmes një reagimi, Klan Kosova tha se ende zyrtarisht nuk është njoftuar nga MINT-i për këtë rast, por ministrja Rozeta Hajdari e ka njoftuar televizionin për këtë vendim rreth orës 18:00 të 14 qershorit.
“Klan Kosova asnjëherë nuk ka pasur rastin as të japë shpjegime çfarëdo në institucionet e shtetit lidhur me pretendimet e ministrisë, të cilat sipas tyre kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ nga një portal online, vetëm një ditë më parë. Derisa nuk marrim njoftime të tjera, ne besojmë se ky veprim është krejt i padrejtë, arbitrar dhe me primesa autokratike, i pa bazuar në ligj, i cili në secilën rrethanë i bie tentim i mbylljes së një mediumi, tentim i shkeljes së lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes”, u tha në reagim.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar duke thënë se është “thellësisht i tronditur me njoftimin e MINT-it për pezullimin e licensës së biznesit të televizionit kombëtar privat, Klan Kosova”, siç thuhet, “përmes një vendimi të paargumentuar, pa specifikim të bazës ligjore dhe pa paralajmërim”.
“AGK-ja, e konsideron veprimin e qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, si të paprecedentë në historinë e re të Kosovës, dhe përpjekje direkte për të diktuar dhe kontrolluar përmbajtjen mediale të Klan Kosovës”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Gjithashtu, është thënë se AGK-ja konsideron se “ky vendim është marrë për të dërguar mesazh tek mediat tjera dhe është dëshmi e pakontestueshme që liria e medias dhe e shprehjes asnjëherë nuk ka qenë më në rrezik se sa aktualisht”.
AGK-ja ka theksuar se do të jetë në kontakt me organizatat partnere ndërkombëtare për lirinë e medias për të denoncuar këtë akt të Qeverisë.
Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias nga Prishtina dhe këshilltare ligjore në Qendrën evropiane për lirinë e shtypit dhe medias, tha se “vendimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës është vendim me bazë të gabuar ligjore, jashtë kompetencave të saj, arbitrar, pa justifikim të duhur dhe ka vetëm një qëllim - të ushtrojë kontroll totale në Klan Kosova dhe në mediat tjera”.
“Vendimi i ARBK-së nuk është dokument juridik, është vendim politik i mirëorekstruar nga kjo qeveri dhe do të ketë pasoja të tmerrshme për demokracinë e vendit tonë”, shkroi Kusari në llogarinë e saj në Facebook.
Sipas saj, vendime të tilla janë shumë të ngjashme me vendimet që i marrin autoritetet në Turqi, Poloni, Hungari, Greqi apo Bullgari kundër mediave.