Ministri taliban lavdëron sulmuesit vetëvrasës, u premton toka familjarëve

Pamje nga takimi i ministrit të talibanëve dhe familjet e sulmuesve vetëvrasës.

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Brendshëm të talibanëve, Sirajuddin Haqqani, terrorist i kërkuar në gjithë botën dhe një nga zyrtarët më të lartë të Afganistanit, ka lavdëruar sulmuesit vetëvrasës dhe u ka premtuar para dhe toka familjarëve të tyre.

Haqqani, lider i rrjetit Haqqani dhe i konsideruar si terrorist nga Shtetet e Bashkuara, me një dëmshpërblim prej 10 milionë dollarëve për kokën e tij, është takuar me familjarët e disa “martirëve” më 18 tetor në një hotel në Kabul, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë, Saeed Khosty.

Khosty dhe llogaritë pro-talibanëve në Twitter, kanë publikuar fotografi që tregojnë Haqqanin duke u lutur dhe duke u qëndruar afër familjarëve, ndonëse në fotografi ai shfaqet vetëm nga mbrapa.

SHIKONI EDHE: Zyrtari taliban: Ndëshkimet e ashpra dhe ekzekutimet do të kthehen

Ministria e Brendshme ka thënë përmes një deklarate se Haqqani ka mirëpritur familjarët e bombarduesve, derisa viktimat i ka përshkruar si “luftëtarë të shenjtë”.

“Haqqani ka lavdëruar xhihadin dhe sakrificën e martirëve dhe muxhahedinëve”, duke iu referuar si “heronj të Islamit dhe shtetit”, ka raportuar transmetuesi shtetëror afgan, RTA, duke shtuar se ai është zotuar për ndarje të 125 dollarëve dhe tokave për secilën familje.

Rrjeti Haqqani, grup militant i lidhur me talibanët, është përgjegjës për sulmet vdekjeprurëse ndaj forcave ndërkombëtare të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan.

Mijëra afganë janë vrarë në sulmet vetëvrasëse të kryera nga ky rrjet në dy dekadat e fundit.