Në objektet ku ishin institucionet paralele serbe vendosen pllaka të ministrive të Kosovës

Pllakat e ministrive të Qeverisë së Kosovës të vendosura në një objekt në Mitrovicë të Veriut. 1 shtator 2024.

Pllaka me emra të ministrive të Kosovës janë vendosur në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut, që më herët kishin qenë të vendosura institucione paralele të Serbisë.

Në këtë objekt komunal, që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve, paraprakisht kishin qenë të vendosura institucione që financohen nga Serbia: Zyra për Kosovën, Drejtoria e Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria.

Ndërkaq, në objektin ku deri pak ditësh ishte vendosur komuna paralele e Mitrovicës, është vendosur tabela që tregon se aty gjendet Departamenti për Patentë Shoferë, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Më 30 gusht, përmes një aksioni të kryer nga Policia e Kosovës, në katër komunat në veri të Kosovës u mbyllën objekte të pesë institucioneve paralele serbe.

SHIKONI EDHE:

Lista Serbe: Ndërkombëtarët të veprojnë urgjentisht që të ndalen veprimet e njëanshme të KurtitO’Brien: Kurti të ndalë veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonëQeveria konfirmon mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe në veri

Nga Qeveria e Kosovës thanë se këto institucione funksiononin nën udhëheqjen e Serbisë dhe si të tilla cenonin kushtetutshmërinë e vendit.

Aksioni u kritikua nga bashkësia ndërkombëtare, që e quajti veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

Ndërkaq, më herët gjatë këtij viti, autoritetet e Kosovës mbyllën edhe shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë të tjera të Kosovës.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.