Ministri i Jashtëm jordanez e viziton Iranin, pas rritjes së tensioneve rajonale

Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi. (Fotografi nga arkivi)

Mediat shtetërore iraniane raportuan se ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi, do të udhëtojë për Teheran më 4 gusht, për një vizitë të rrallë, në një kohë kur tensionet mes Iranit dhe armikut të tij të përbetuar, Izraelit, janë rritur.

Safadi dhe ministri i Jashtëm në detyrë i Iranit, Ali Baqeri Kani, biseduan në telefon dy herë në dy ditët e fundit, për zhvillimet në Lindjen e Mesme, pas vrasjes në Teheran të Ismail Haniyehut, liderit politik të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Vizita e Safadit në Iran do të jetë e para nga një ministër i Jashtëm jordanez prej marsit të vitit 2015.

SHIKONI EDHE: Të tronditur nga vrasja e liderit të Hamasit, Irani e aleatët shqyrtojnë përgjigjen

Vdekja e Haniyehut në tokën iraniane dhe sulmet izraelite ndaj grupeve të mbështetura nga Teherani, të cilat përfshihen në sulme kundër Izraelit, kanë nxitur frikë për rrezikun e shpërthimit të një lufte të drejtpërdrejtë mes Iranit dhe Izraelit dhe për një konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme.

Haniyeh u vra mëngjesin e 31 korrikut në një lagje të pasur në Teheran, pak pasi kishte marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit iranian, Masud Pezeshkian, në Parlament.

Irani dhe Hamasi e kanë akuzuar Izraelin për vrasjen e Haniyehut dhe janë zotuar se do të hakmerren. Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e tij, por as nuk e ka mohuar atë.